“Në vitin 2019 në botë janë vrarë 49 gazetarë”

Shpërndaje

Organizata “Reporterët pa Kufij” (RSF) ka njoftuar se këtë vit në botë janë vrarë 49 gazetarë për shkak të aktiviteteve në lidhje me profesionin e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Organizata publikoi raportin e saj vjetor lidhur me rastet e dhunës kundër gazetarëve, ku thuhet se 49 gazetarë e kanë humbur jetën pasi janë vendosur në objektiv gjatë aktiviteteve profesionale ose që kanë humbur jetën duke ndjekur konfliktet.

Bëhet e ditur se nga gazetarët e vrarë, 36 prej tyre kanë qenë profesionistë, 10 gazetarë amatorë dhe 3 punonjës mbështetës që kanë punuar për insititucionet mediatike.

Në raport thuhet se 31 prej gazetarëve janë vendosur drejtpërdrejt në objektiv ndërsa 18 prej tyre kanë humbur jetën duke ndjekur konfliktet.

Sipas raportit, vdekjet e gazetarëve në botë për vitin 2019 janë zvogëluar me 44 për qind në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që ka shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2003 e deri më tani.

Numri i gazetarëve që kanë humbur jetën duke ndjekur konfliktet në Siri, Jemen dhe Afganistan në vitin 2018 ka qenë 34 ndërsa këtë vit kjo ka rënë në 17, ndër të cilët 10 gazetarë në Siri, 2 në Jemen dhe 5 në Afganistan.

Në Meksikë ashtu si vitin e kaluar edhe këtë vit kanë qenë viktima të krimeve ku kanë humbur jetën 10 gazetarë, gjë e cila e bën Meksikën vendin ku janë vrarë më shumë gazetarë ndërkohë që nuk ka luftë.

Përveç Meksikës, rajonet ku është përjetuar më shumë frika e rrezikut për jetën e gazetarëve janë vendet e Karaibeve dhe Amerikës Latine ku gjithsej kanë humbur jetën 14 gazetarë, vende të cilat janë vlerësuar me rrezik të vdekshmërisë po aq sa edhe Lindja e Mesme.

Shpërndaje