Në Shkodër shtohen kontrollet dhe aplikimi i gjobave për parkimet e gabuara…

Shpërndaje

Gjetja e një vendparkimi në rrugët e qytetit të Shkodrës po bëhet gjithnjë dhe më e vështirë për drejtuesit e mjeteve.

Ky fenomen vlerësohet edhe si një nga arsyet kryesore të trafikut të rënduar në qytet edhe në këto ditë të para të vitit të ri.

Shtimi i numrit të automjeteve, si dhe mungesa e hapësirave të mjaftueshme për parkim vlerësohen si shkaku kryesor i trafikut të rënduar në rrugët e qytetit të Shkodrës, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

Kjo situatë ka detyruar edhe shtimin e kontrolleve nga ana e Policisë Rrugore dhe asaj Bashkiake, duke shtuar kështu edhe masat administrative ndaj drejtuesve të mjeteve për parkime të gabuara.

Masat ndëshkuese, në shumicën e rasteve shkaktojnë reagime dhe pakënaqësi nga ana e drejtuesve të mjeteve, të cilët jashtë kamerave argumentojnë se mungesa e opsioneve të tjera për parkim i detyron të shkelin rregullat.

Ndërkohë sipas specialistëve të fushës vetëm përmes një qasjeje të integruar, mund të arrihet lehtësimi i trafikut në qytet.

Krijimi i hapësirave të reja parkimi është në fokusin e projekteve të bashkisë Shkodër projekte këto që synojnë përmirësimin e infrastrukturës urbane.

Shpërndaje