Në kërkim për pjesëmarrje në organizatë kriminale, sekuestrohen prona në emër të Fatjon Muratit…

Shpërndaje

Në kërkim për një sërë veprash penale nga pjesëmarrja në organizatë kriminale tek trafikim i lëndëve narkotike, Prokuroria Tiranë çon në gjyq shtetasin F.M

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq të pandehurin, shtetasin F.M. për veprën penale të ‘Pastrim të produkteve të veprës penale apo përfshirjes në veprimtari kriminale’ parashikuar nga neni 287/a i Kodit Penal.

Nga tërësia e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për procedimin penal nr.2600/2018, rezultoi e provuar se, ky shtetas, me anë të pasurisë (para cash) të krijuar nga veprimtaria e kundraligjshme e vjedhjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike të zhvilluar në Itali, për periudhën 2014-2015, ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, duke i transferuar ato në emër të familjarëve të tij (nënës dhe vëllezerve) me qëllim mbulimin e origjinës së tyre dhe për të shmangur çdo pasojë juridike të mëtejshme mbi këto prona.

Konkretisht;

–       Njësi, kati nëntokë në objekt 6 katësh, sipërfaqe 317 m2, adresë Albanopoli, Tiranë në pronësi të nënës;

–       Automjet Citroen;

–       Automjet Mercedes Benz; dhe

–       Automjet Daimler.

Këto pasuri në emër të nënës dhe 3 automjetet në emër të subjektit dhe vëllezërve nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme të realizuara prej tyre.

Sa më sipër, nga hetimet paraprake rezulton e provuar se ka të dhëna të mjaftueshme që të krijojnë bindjen se i pandehuri F.M., ka konsumuar plotësisht elementët e figures së veprës penale të parashikuar nga neni 287/a i K.Penal. Në materialin referues thuhej se shtetasi F.M. në bashkëpunim me gjashtë persona të tjerë, vepronin si pjesë e një organizate kriminale, të arrestuar nga policia italiane, fillimisht me tendencë vjedhje dhe më pas e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre kriminal, duke përfshirë edhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Shtetasi F.M. është aktualisht i kërkuar në nivel kombëtar për evazion në vitin 2015, ‘pranimin e mallrave të vjedhura’, ‘posedim abuziv të armëve’, ‘Pjesëmarrjes në krime’ dhe për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’.

Shpërndaje