Nga Shkëlqim Abazi
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
“Edhe barrën e shpirtit, mbasi e zbraz diku, ndihesh më i lehtësuar zemrës së ripërtërirë, i rikthehet ritmi jetik, truri sikur freskohet dhe gjykimi ftohet. Ky mendoj, duhet të jetë ndër shkaqet kryesore që ndikon besimtarët, të cilët mbas rrëfimit, dalin nga qela e kishës më të dëlirët, çapisin më të shkujdesur e tepër kryelartë.
Pa ngarkesën e fajit mbi shpinë, edhe një prostitutë e përdhosur i ngjet virgjëreshës. Beso, e kundërta ndodh me priftin, sa më shumë pendestarë t’i rrëfehen, aq më i rrënuar ngjet ai, sikur t’i kenë shkarkuar mbi supe, gjithë barrën e mëkatarëve të kësaj jallane dhe ai trup-rëgjuar, është i dënuar t’i tërheq me vete, në udhën e mundimshme të Kalvarit”!
Kaluan ca çaste në heshtje e, secili ripërtypte në mëndje bërllokun që hodhi Qazimi. Xha Esherefi kish ngrirë si një manekin reklame, me copëzën e bushit në një dorë dhe thikëzën e hollë në tjetrën; ndërsa Vaska symbyllur, kish vaisur kokën mbi dorë, si të kotej në gjumë; kurse unë këqyrja boshllëkun diku në një horizont fluid, përtej siluetës së Qazimit, mes eterit ku donte të tretej ai. Prita të thyenin heshtjen të vjetrit, po kur ata heshtën; për ta shprishur qetësinë e ankthshme, ndërhyra unë:
“Më fal Qazim, padashur të të shkaktoj mërzi, doja të shpjegoje ç’zekth të kishte hyrë atë ditë në kovaçhanë”? “Po qe besa, kom ken fort keq! S’di, a e njeh at komisarin nga Korça, at’ pra, që don m’u transferue në qytetin e vet? Para do kohe, më kish porosit me i bo nji thikë. Më pruni nji valvul stalinesku e, ia kom punue. E bana për marak, si ma mirë s’bohet! T’i kom hap kah dy hulli, në të dy faqet e, i vuna dhe nji dorzë plesiglasti shumë ngjyrësh. Pak para se hi ti n’kovaçhanë, erdh aj, ja dhash të mbarueme, mirëpo aj nisi me m’than: jo po duhej ta kishje ba njiashtu e, njikshtu!
Allah-ile, jam mërzit koll shum! Me m’ë tregue mue, zanatin! A e kupton sa i fyem jam ndi! E kush donte me m’sue, se?! Aj bylmezi, që vetë din veç me llap pesë llafe, për punët t’politikës e t’Partis Komuniste! E pra, desh me më tregue si punohet hekri! U mërzita fort dhe ta kom marr e t’i kom hy n’vare, dhe e kom nda dy copash, sa mos m’u ngjit ma! Aj iku e s’u kthye përsëdyti”! Heshti kovaçi e, nuk bzani më. Sikur harroi të mbushej me frymë.
Edhe unë heshta. Që nga ajo ditë me Qazimin, flisja më shpesh, si rrallë ndonjë i dënuar. Siç përmenda më lartë, në këtë brigadë punonin tipa të ndryshëm, por gjithkush veçmas nga të tjerët, bënte punën e tij. Në kohën që mbërrita unë, në godinën e laboratorit, vazhdonin instalimet. Inxhinierë dhe teknikë, drejtues punimesh, ishin tre të dënuar dhe një i lirë.
Të dënuarët ishin, Hamdi Haska dhe Franko Sara, të dy korçarë. Inxhinierë të talentuar, po mbi të tjera intelektualë e njerëz të shkëlqyer. Ishin ndëshkuar mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik, si revizionistë. Ndërsa i treti, Bardhyl Belishova nga Mallakastra, edhe ky ishte diplomuar për elektroteknikë në Bashkimin Sovjetik, i dënuar gjithashtu si revizionist, po më shumë si vëllai i Liri Belishovës (Çomos).
Këta bashkë me të lirin, zbatonin projektin. Si përgjegjës, kishin mundësi të influenconin edhe mbi komandën e kampit e, në përzgjedhjen e ndonjë specialisti. Këto kompetenca të pashkruara i shfrytëzuan për të sistemuar sipas profesionit apo tarafit, ca figura të njohura të kampit, veç atyre që i emëronin me urdhër nga lartë.
Me një fjalë, veç spiunëve dhe informatorëve të Sigurimit, që bënin sikur punonin dhe na ishin bërë ferrë nëpër këmbë, punonin edhe njerëz të ndershëm, që kishin ardhur me mbështetjen e inxhinierëve. Gjatë këtyre ditëve, m’u dha shansi të njihja në terren, një pjesë të mirë të këtyre specialistëve. Një nga këta, ish hoxha i mirënjohur nga Shkodra, Hafëz Sabri Koçi.
Hafëzi punonte hidraulik, ishte duarartë dhe i papërtuar. Me iniciativën e tij, arriti të bënte vepra arti, për kushtet e burgut, ku mungonte gjithçka. Hoxha hidraulik-novator, shfrytëzoi çdo mjet që i ra në dorë, në shërbim të të dënuarve. Për meritë të këmbënguljes së tij, me mbeturina tubosh dhe qyngjesh të flakura, arriti të instalonte dushet në Reps dhe më pas, në Spaç.
Në Shkodër, kisha dëgjuar shumë për këtë person. Individët që e përgojonin, flisnin me superlativa edhe pozitive, edhe negative; varej nga përgojuesi. Kur ky ish qytetar apo besimtar i thjeshtë, fliste mirë, ndërsa pushtetarët e indoktrinuar, flisnin shumë keq. Anektodat pa fund, e kishin veshur figurën dhe personalitetin e hoxhës, me një tis misteri.
Kur më sollën në Reps, që ditët e para dëgjova për hoxhën se vuante dënimin atje. M’u shtua kurioziteti ta njihja. Mirëpo kur e njoha, u ndjeva i zhgënjyer. Hoxhë Sabria, siç e thërrisnim të gjithë apo shkurt; “Hafizi”, siç e quanin policët, m’u duk njeri fort i zakonshëm, biles më pak se i zakonshëm: i përulur. Gjithkujt që i drejtohej, i përgjigjej: “urdhno”; kur i kërkonin t’u kryente një shërbim: “si urdhno”.
Që nga dita e parë veç këto dy fjalë, dëgjova të dilnin nga goja e tij, ndaj thashë, u zhgënjeva. Fytyr-hequr si asket, i gjatë e i dobët, pak i kërrusur, po gjithherë i lehtë, mbaronte njërën punë, pa fshirë ende duart, rendte të mbyllte tjetrën. Atë e shihje përherë në lëvizje, me duart të zëna me tubo dhe çelësa papagall.
Mënyra e sjelljes dhe përgjigjet lepe-peqe, të krijonin përshtypjen, se kishe të bëje me një tip paksa të çuditshëm, një far servil-frikaç. Natyrisht, këto ishin mbresat e para sepse shumë shpejt, do ndryshoja mendim. Në Shkodër, kisha dëgjuar shumë histori që lidheshin me emrin e tij, veçanërisht nga të ndaluarit që më poqi rasti në biruca. Kështu me imagjinatë, kisha krijuar shëmbëlltyrën e një burri autoritar, të fortë, pak të përvuajtur, por të ashpër, si kreshnikët.
Kur u përballa me atë fizik të dobët, me atë fytyrë tërë eshtra, vetëdijshëm u ndjeva i zhgënjyer dhe u rreka të kthehesha pas, në kohën kur s’e njihja ende. Natyrisht, s’e përftoja dot pamjen që mund të kish patur ky hoxhë, që e kishin shndërruar në mit, me mjekrën dhe me uniformën e klerikut. Fantazia ngërthehej pas asaj figure reale, që s’të bindte dhe ngecte e s’bënte më tej.
Atëkohë, kur hapja kanale me daltë dhe çekan, pak metra larg tij, vura në dyshim autenticitetin e figurave historike dhe mitologjike: “S’duken se kanë qenë reale ato që na kanë mësuar në shkollë! Thjeshtë, pallavra mitomanësh”! Ish hera e parë që heronjtë e lashtësisë, si Herakliu, që kishte mundur luanët, Anteu, që merrte fuqi nga mëma tokë, Tezeu, që shpëtoi vajzat e Athinës nga epshet e Minotaurit; luftëtarët tanë epikë, Gjeto Basho Muji, Halil Garria, etj., etj., të transformuar prej fantazisë popullore, në diva dhe gjigantë, deri edhe Skënderbeu ynë, që e përfytyroja me shpatën-pallë, duke prerë e prerë pambarim koka turqish, aq sa edhe kali shkelte mbi një kapicë kurmesh e mbi një det gjaku, i përafrova në përmasat e njerëzve normalë.
Përballja me realen më rezultoi iracionale, kuadratimi i së vërtetës, më diktoi rishikimin e pikëpamjeve radikale dhe atëbotë mbërrita në një deduksion aspak heroik, mbi mitet, legjendat, gojëdhënat e përrallat. Ato duhej t’i përkisnin një të vërtete mikroskopike, që në vagëllimën e shekujve, fantazia e shfrenuar popullore i kish shndërruar në mite. “Mbase në një të ardhme, edhe këta individë të rëndomtë, me të cilët më lidhi rastësia, mund të bëheshin pjesë e legjendave!
Mitet mund t’iu mveshin atyre veti mbinatyrore, që faktikisht s’i gëzojnë, mirëpo deri atëkohë, do ketë rrjedhur shumë ujë dhe do jenë rrokullisur shumë vite, ndoshta edhe shekuj, dhe ne bashkëkohësit e tyre, që ndamë me ta të mirat e të këqijat, s’do jemi më në këtë botë, për të dëshmuar. Atëherë…) Lindi miti”!
Këto mendime më shastisën gjithë atë ditë. Si përherë, kur u ktheva në kamp, iu rrëfeva fqinjëve për njohjet e reja, si dhe mendimet që kisha bluar në mullirin tim. Xha Esherefi realist, m’u shkreh drejtpërdrejtë: “Bukur, besa, pse ç’prisje! Mos dojshe me pa, ndonjë mal! E pra, edhe ata rob Zoti janë, si ti e si unë! Or mec, njerinë s’e dallon shtati, por truni! E po qe sa për tru, Hafizi ka, për njëmijë si ti e, si unë!
E more vesht, virtytet dhe veset, ndajnë robt, or mëjk! Pasha Allahun e Madh, ene vet kështu kam mendu, në t’ri, po jeta m’msoi me ba dallimin mes trunit dhe hunit! I dituni asht i quet, s’e hup durimin, kur të tjerët çorientohen, i forti asht i mbrapsht e avdallë dhe varrin e ka pranë! Kush s’vlen për dynjanë, s’asht as për sojin e vet! Njikshtu, or bir”! – e mbylli ai.
Kurse Vaska picërroi sytë dhe fërkoi ballin: “Ka të drejtë Sherefi! Po, s’e luan topi! Hafëzi është i ditur i urtë! Fjalën e ka me peshë! S’e di, ç’përfytyrim ke ti, për të urtët? Kjo është çështje perceptimi. Po statusi hoxhë, prift, baba, dervish, s’të bën më të mirë, nga të tjerët, që s’janë të tillë. Fetarët janë mësues. Siç mund të jetë dikush mësues letërsie, matematike, historie, etj., ata janë mësues teologë. Mirëpo s’e bën profesioni njeriun, or djalë, po njeriu që bën zanatin! Profesioni mund të të lerë ca huqe, po në thelb, mbetesh ai që ke qenë. Është edukata, kultura, forca e karakterit, virtytet, veset, që përçon në ambientin ku jeton; mënyra, logjika, argumentet me të cilën i mbron dhe i shpreh ato.
Pra, këto veti që përmenda, madje dhe të tjera që s’t’i zura në gojë, Hafizi i ka me tepri. Është punëtor i palodhur, ama s’ke pse mendon se prifti apo hoxha, duhet të falen gjithë ditën? Jo, or bir, jo, të gjithë duan t’i mbijetojnë burgut! E rëndësishme është që ta përshkosh kalvarin në mënyrën më të ndershme. – heshti pak, seç kërkoi poshtë nënkresë, nga nxori një libër me kopertinë të verdhë apo të zverdhur nga koha. – Merre lexoje, apo më mirë po ta lexoj, meqë ti s’di italisht. Këtu shpjegohet një pjesë e këtyre që po diskutojmë. Pashë titullin: “L’Uomo questo sconocsiuto”, i’a ktheva sërish, sepse s’dija italisht.
“Këtu apo gjetkë, do të qëlloj të shohësh priftërinj, hoxhallarë, dervishë e baballarë, të punojnë në zeje nga më të ndryshmet, sipas rastit, mund të jenë muratorë, marangozë, kuzhinierë, hidraulikë, saldatorë, etj. Po kjo as iu heq dhe as iu shton gjë karaktereve të tyre, sepse edhe ata janë njerëz. Në thelb individi mbetet po ai, pavarësisht vendit. Ndërsa udhëheqësit fetarë që gjinden këtu, veç këtyre angarive, iu del detyrë të jenë në lartësinë e misionit, në mos edhe më të devotshëm e më të përkushtuar në zellin ekleziastik.
Mbase s’do kenë kushtet dhe kohën ideale, ama në momentin më të volitshëm, sapo t’ju paraqitet rasti, duhet t’i drejtohen Zotit, me lutjen më të sinqertë, për vete dhe për të tjerët; veçanërisht e më shumë për të tjerët! Më kuptove, ore bir”? – heshti si të deshte të më sugjestionohej.
“Dhe Hafëzi, e bën këtë me devocionin më suprem! Natyrisht, për t’i vërtetuar këto që them unë, shpresoj të të paraqitet rasti shpejt t’i shohësh me sytë e tu! Me këtë ligjëratë, nuk synoj të mbrojë kolegun, jo! Aq më tepër Hafëzi, si njeri me virtyte s’ka fare nevojë për avokat! Ndërsa përsa i përket përulësisë, që të ka rënë në sy, ajo është veti e njerëzve të zgjuar. Kalliri plotë e var kokën, zhofka e mban përpjetë! Përfundimisht, duhet ta konsiderosh nder, nëse tërheq simpatinë dhe ende më i vlerësuar, po fitove miqësinë e tij”, – i dha fund prifti.
Edhe miqtë e tjerë, shprehën gati të njëjtat konsiderata. Me fjalë më të thjeshta, po me të njëjtin respekt, m’u shpreh xha Dauti: “O djalo, sikur Shqipëria të kishte nja njëmijë Hafëz Sabri, do ishim njëmijë vjet përpara! Përrallat me xhuxha e me diva, janë për kalamaqtë”! me kaq e mbylli muhabetin.Bisedat e përditshme me pleqtë e mi, më injektonin optimizmin e nevojshëm, për vendin ku vegjetonim dhe me këndvështrimin e tyre të qarta, më përvijuan udhët e së ardhshme.
Të nesërmen në mëngjes, isha sërish në atë front pune. Kisha mbi një orë që çaja betonin, kur u dha afizi me tubot në krahë. Me gjithë mirësjellje, më uroi mirëmëngjesin, në dialektin shkodran: “Si ke ndjeh”? “Falemnderit”! “A ke mujt”! “Ç’ka”! “A lodhesh kah nj’fije”? “E shtyjmë”! “Si jan tuj t’shkue punët”? “Njëfarësoj”! – me respekt të veçantë, i ktheva përgjigje njëfjalëshe, gjë që atij i ra menjëherë në sy.
Mandej Secili pa punën e tij; unë çaja kanalet, ndërsa ai montonte copat e tubove. Mbaronte ato që kish nëpër duar, merrte masat për të tjerat, ikte në atelienë ku kishte instaluar tavolinën e punës, nga ku dëgjohej gërr-vërrja e sharrës hekurt që priste tubot, i filetonte me matravidë, i lidhte stivë me tel bari dhe rikthehej në vendin e montimit. Këto ecejake, i bëri disa herë atë ditë.
Aty nga dreka, u struk pas arkave të pajisjeve hidro-sanitare në qoshe të sallës, diçka nxori nga një xhep nën këmishë apo nga gjiri, s’e vura re mirë, shtroi mbi dysheme ca thasë çimento dhe u lëshua në gjunjë. Nisi mërmërimat në një gjuhë të pakuptueshme për mua, me duart të bashkuara para që herë pas here i shkonte mbi fytyrë, si të lante sytë. Ndërkohë edhe unë, hodha mënjanë daltën e çekanin dhe nisa të qëroja me dorë copëzat e thërrmuara të betonin, që të mos i shkaktoja bezdi.
Kur mbaroi recitimin, m’u drejtua: “Hajd, çlodhu një fije, he burr”! “E lashë punën dhe u ula mbi një arkë, ballë tij. “Nga je”? – e nisi bisedën ai. I ktheva përgjigje kësaj pyetje dhe të tjerave që m’u bënë. Si u thye akulli, më erdhi radha mua: “Hafëz Sabri, si fillim ju kërkoj ndjesë që dyshova tek ju! – ia nisa. – Kur u dëgjoja që përgjigjeshit vetëm lepe-peqe, ju mora për servil.
Kur shihja që punonit pa ngritur kryet, krijova përshtypjen se, përveç se servil, ishit edhe frikacak, për mos të shtuar të tjera. E dyta: meqë kam jetuar ca kohë në Shkodër, kam dëgjuar opinione nga më të ndryshmet, për ju si person dhe për veprimtarinë tuaj fetare e laike. Të jem i sinqert, pa ju njohur, u imagjinoja shumë më tjetër nga ç’ju pashë”! – dhe i rrëfeva se e përfytyroja një tip të hekurt, të papërkulshëm e tjera me radhë.
Ai më dëgjoi me një nënqeshje të lehtë. Nga buzagazi, cepi i djathte i mustaqeve të prera shkurt, iu ngrit përpjetë. Nuk më ndërpreu, më la të shprehesha deri në fund, mandej shpërtheu në një gaz të papërmbajtur: “Ha-ha-aaa! A e din, or bir, si asht kjo punë: krejt e thjeshtë; ba mos me pas fëmini e rini, s’kish me pas, as mite e as trimni! Allahile, ene vet kur kam ken i ri, iu besojsha shumë besëtytnive, kahierë zhytesha ene në fantazi të shfrenueme! Por mosha bani t’vetën, tash në prag pleqniet, e shiqoj botën ma kjartë, me synin e realistit.
Gjithsesi, shyqyr m’i ba t’Madhit Zot, që ka sajue ëndrrat, ba mos me ken ato, ku kish me e plas krye robi i mjerë! Gjysa e jetës, kalon n’andra e n’galdime, në gjysën tjetër, nis realiteti! S’a marre, m’i përjetue t’tana fazat! Veç fatkeqësia e sodit, asht se t’rinjtë jan plak para kohet! I kan plak, deshta me thanë! Pra, nga gjithë sa ke ndi t’fliten n’Shkodër, pako gja asht e vërtetë. Të tjerat i ka përhapë Sigurimi me këlyshët e vet, për me na diskretitue na si klerikë dhe me na përça e, me na ftohë me besimtarët dhe fenë. A ja ka mbërrit?
Koha ka me e tregue. Tash jena në nji kapërcyell çoroditje totale, gjithkah sulen mbi na me çdo mjet, me çdo mënyrë, pa kursye as nderin, as dinjitetin, as jetët njerëzore. Fundi mbase ka me ken i largët, po e drejta do triumfoj! Allahu me t’Madh t’Vet, i ka dhanë robit sy, sa me e pa greminën ku dojn me na shty komunistët. Ndërkohë, gjithkujt i ka dhan aq mend n’kry, sa me nda djallin nga ënjlli. Veç t’kena shndet e kasavet, për m’e dal në selamet. Allahu na ka vue n’provë, or bir dhe prova asht njitu, mbi kët tokë vneri!
Për Pejgamer, kena nji varg detyrimesh që duhet me përmbushë. Kudo me kën robi, duhet m’i shlye detyrimet; mos me rrejtë e mos me vjedh, mos me lakmue gjanë e hallkut e, mos me hangër n’hak, mos m’u ba allanshahit e, mbi të gjitha, me ken i durueshëm e i m’shirshëm; mandej sipas mundsisë, me da sadaka ndër t’vorfën e nevojtarë dhe shumë e shumë, detyrime t’tjera. E pra, askërkund s’thuhej se ash turp me punue, përkundrazi, duhet m’u përball me çfarëdo pune, mjaft me kën e ndershme dhe n’dobi t’robit!
Mbi kto parime, asht bazue islamizmi gjithkund, or bir! Mirëpo për m’i zbatue në praktikë, duhen në kry udhërrëfyesit fetarë; ndaj kët detyrë, kush ma mir se nji hoxhë, nji prift, nji dervish, mund ta baj? E pra, te k’ta iu kish ndesh sharra n’gozhd komunistëve! Duhej me çdo kusht m’e godit parinë e devotçme t’fetarve, jo vetëm myslimajt, po tana feve. E ku kishin me gjet ma bukur se historinat me hajna, për na myslimajt e me kurvëlliqe e horrliqe, për priftnit e dervishët?
Janë gadi me xjerr edhe gurt e vorrit, veç me na diskretitue! Për me ia mbrrit qëllimit, s’kan lanë ne gja pa zbraz nga arsenali i prapështinave e poshtërsinave, veç me a flliqë, me na poshtërue, n’sy të besimtarëve e t’hallkut. Kanë ndërsye lukuni edepsizësh, pa din e pa iman dhe kan përhap n’popull tan kto gazepe, që s’i beson askush. Plotë nga kto marrina pa karar, do kesh ndëgju ene ti. Kjo asht loja e Sigurimit! Po nga ana tjetër, s’asht përdhosë tan Shqypnia, fund e majë, ala kanë mbet robë të ndershëm, ma së shumti se harram. Ani pse, e kan mshil gojën në publik. Në rrethe miqsh, ene pse me drojë, kan fol përsmbari, kan mbrojt të drejtën e të vërtetën.
Sigurisht, ene nga kta ke ndigju. Por tamam-tamam, të vërtetën mbi luftën ndaj fesë dhe medemek zakoneve prapanike, e ka thanë fare shkoqur, monstra nga Gjirokastra, në fjalimin e 6 shkurtit të gjashtëdheteshtatës. Natyrisht edhe kët e ke ndigjue. Domethanë, për me influencue mbi opinionin e gjanë, kanë ndikue një sërë faktorësh, që në një farë mënyre, kanë lanë gjurmë. Pozitive apo negative? Këtë përgjigje ka m’e dhan koha! Por gjithsesi, Shkodra mbetet Shkodër dhe ka me kën përherë Shkodër, qendra dhe epiqendra e besimeve fetare e, djepi i antikomunizmit shqipëtar”!
Kur e pyeta për butësinë e tepruar, me të cilët sillej, ai m’u përgjigj: “Në burg na kan shti komunistët, pra, na ka dënue robi, jo Zoti! Siç ta shpjegova ma naltë, Allahu me t’Madh t’vet, na ka vue n’provë. Duhet me e kalue me nder kët kasavet, ani pse mund t’na randoj tepër, mbi trupin e shëndetin. Njitu na kanë qarkue me gjerdhe teli me gjemba, me ushtarë të armatosun dhe me qen kufinit. Veç s’janë, as rrethimi, as rojet, as qentë që na mbajnë njitu, po vullneti i Zotit. Na duhet me shembullin tonë pozitiv, me i’u tregue ateistëve, se jena shumë më naltë se ata moralisht, jo se e kem pranue sfidën me lanetin, se në fund t’fundit, do jena fituesit”!
Kur e pyeta nëse duhen bërë përpjekje, për të fituar lirinë, ai ma preu: “Varet ç’kupton me përpjekjen? Dikush e sheh si ndeshje gladiatorësh në arenë, dikush luftë bajlozësh ballazi në front, dikush konfrontim dhune, ndërsa na e konsiderojmë luftë shpirtërore, ndeshje botëkuptimesh, përplasje morale, mbrojtje dinjiteti”!
Me këto argumente, më foli rreth një orë. Unë e dëgjova dhe e aprovova. Tashmë që para kisha fetarin i përkushtuar, njeriun e vërtetë, atë realin me mish dhe eshtra, u zhdavarit vegimi, pjellat fantazmagorike u arratisën në kohërat mitologjike. Që nga ajo ditë, revizionova konceptet e vagullta mbi historinë dhe e këqyra realitetin në sy; hyra, si me thënë, në moshën e burrnisë. Memorie.al