Në dy muaj, 2500 klandestinë hyjnë ilegalisht në Shqipëri

Shpërndaje

Prej vitesh Shqipëria është kthyer në një vend transiti për kalimin e refugjatëve, ndërsa situata në kufirin turko-grek ka bërë që autoritetet të shtojnë vëmendjen. Sipas burimeve nga Policia Kufitare në dy muajt e parë të 2020-ës në Shqipëri kanë hyrë ilegalisht rreth 2500 klandestinë kryesisht nga Siria, Iraku, Maroku dhe Algjeria.

Më shumë se gjysma e tyre kanë kërkuar azil por nga të dhënat e viteve të kaluara rezulton se as 5% e tyre nuk i qëndrojnë procedurave duke u larguar sërish përmes formave ilegale. Në vitin 2019-en në Shqipëri u regjistruan rreth 11 mijë emigrant të paligjshëm ndërsa pak ditë më parë zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda tha për Euroneës Albania se në rast të një krize është gati një plan veprimi.

Sipas burimeve krahas qendrës së azilkërkuesve në Babrru dhe asaj në Karec të Vorës, po shikohet mundësia e ngritjes së disa qendrave të tjera. 920 prej emigrantëve të paligjshëm që janë regjistruar këtë vit janë konstatuar në kufirin e gjelbër në Kapshticë ku patrullojnë edhe forcat e FRONTEX ndërsa pika të tjera të nxehta janë ajo e Kakavijës dhe “Tre Urat” në Përmet.

Shpërndaje