Fatjon Murati, pronari i lokalit në Don Bosko ku dhe u krye atentati i 12 marsit rezulton të ketë thyer masën “arrest shtëpie” të dhënë nga Gjykata më herët.
Edhe pse duhet të ishte në “arrest shtëpie”, duket se Fatjon Murati jo vetëm e ka thyer këtë masë, por i pa shqetësuar ka udhëtuar edhe jashtë vendit.
Burime për media bëjnë me dije se më 19 janar të këtij viti, Fatjon Murati ka dalë nga Shqipëri nga Morina. Pasaporta e tij është vulosur nga pala shqiptare dhe pas disa ditësh është rikthyer në vend. Pasaporta e Fatjon Muratit është vulosur pasi masa e arrestit shtëpiak nuk pasqyrohet në sistemin TIMS
Vetëm disa orë para se të ndodhte dhe atentati në lokalin e tij, Fatjon Murati ka kaluar kufinin pa probleme pasi në Morinë nuk ka kontrolle në fundjavë dhe nuk u kthye më.
Ajo që është e paqartë është mënyra sesi policia, që është përgjegjëse për ruajtjen e personave në masën e arrestit shtëpiak nuk ka mundur dot të verifikojë lëvizjet e Muratit.
Kujtojmë që mbrëmjen e 12 marsit në një lokal në Don Bosko u krye një masakër, ku persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi drejt lokalit të Fatjonit.
Nga ky atentat humbi jetën banakjeria 50 vjeçare Mimoza Paja si dhe mbetën të plagosur 5 të tjerë.
Sot është zhvilluar edhe seanca gjyqësore për Fatojn Muratin në Gjykatën e Tiranës. Murati akuzohet bashkë me Kristian Gjinin se kanë qenë posedues të disa armëve me precizion të lartë, të kapura nga në korrik 2022.