Në 2013 e përdori të shante Berishën, kampioni ia thotë në sy Ramës: Jemi në rrugë. Do vdesim si roje parkingu

Shpërndaje

Përballja me të shkuarën.

Ishte mars 2013, atëherë Rama ishte në opozitë dhe kërkonte të fitonte zgjedhjet e 2013.  Në një nga postimet në Facebook Rama tregonte historinë e Arbis Vjerdhës, kampionit të shumëfishtë kombëtar, fitues i shumë turneve ndërkombëtare në karate.

Atëherë Rama shkruante se Kampioni botëror dhe europian në Kick Boxing  ishte bërë viktimë e hakmarrjes së qeverisë së atëhershme të Berishës sepse kontribuoi për draftin e programit të Rilindjes së Sportit.

“Është historia e përditshme e shkeljes brutale të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi për shkak të bindjeve a mosbindjeve të tyre. Po edhe më keq, është historia e një hakmarrjeje primitive që prek familjen e të afërmit për të kallur frikën përreth. Kjo histori do marrë fund pas 23 qershorit. Liria, konkurrenca dhe merita do jenë vlerat me të cilat do marrë formë Shqipëria e rilindur,” shkruante Rama në 2013. 

Po sot, 8 vjet më pas a ka rilindur Sporti?

Arbisi nuk fsheh zhgënjimin para Edi Ramës në takimin e mbajtur sot në kryeministri.

Thotë se nuk është bërë asgjë për sportistët të cilët japin rininë e tyre për të nderuar flamurin, por që nga shteti nuk kanë asnjë mbështetje.

Arbis Vjerdha: “Një program si para 8 viteve u kënaqa shumë por implementimi  do të jetë I vështirë. Nuk shoh asgjë konkrete. Çdo sportit jep vitet më të bukura të jetës së sportit për të nderuar flamurin kombëtar e në fund të karrierës gjendet pa asnjë lloj të ardhure e sektori shtetëror është I vetmi ku mund të punësohen sportistët.

Ne gëzojmë më pak të drejta se komunitetet fetare, se shoqatat e LGTB-së dhe çdo kush që me mundësitë tona kemi nderuar flamurin kombëtar.

Ju garantoj që kur tu mbarojë takati ata do të mbeten si peshku pa ujë nëse do vazhdojmë në këtë rrugëtim.

Unë i kam sjellë 14 medalje për 8 vite Shqipërisë në kickobx dhe nuk kam marrë asnjë lek nga fondi grant.

Unë si Arbis në moshën 45 vjeçare jam në të njëjtat kondita sikur isha në vitin 2013 dhe ju bëtë një artikull për mua dhe jam drejt rrugës të të njëjtës histori si Ymer Pampuri që vdiq duke qenë roje parking. Unë jam në të njëjtat kondita, e nesër do të jetë Izmiri, Briken Calja e Erkand Qerimaj.”

Kryeministri u shpreh se situata ka ndryshuar për disa, por jo për të gjithë. Rama më tej tha se jemi në një fazë të ndërmjetme në tërësi, ku disa janë për përpara dhe disa prapa.

Edi Rama: Për shumë kënd situata ka ndryshuar ndjeshëm por jo për të gjithë një pjesë janë siç kanë qenë dhe ky është realiteti. Meqë Arbisi përmendi komunitetet fetare dhe ato kanë shqetësime të mëdha pa folur për LGBT. Jemi në një fazë të ndërmjetme në tërësi. Disa janë më përpara disa prapa.

Por çfarë shkruante Rama në 2013 për Arbis Vjerdhën?

“Arbis Vjerdha, 37 vjeçar, i martuar me dy fëmije. Kampion i shumëfishtë kombëtar, si dhe fitues i shumë turneve ndërkombëtare në karate. Kampion botëror dhe europian në Kick Boxing. Shkodran. Pranon ftesën e Fidel Yllit për të kontribuar për draftin e programit tonë të Rilindjes së Sportit. Vjen edhe në Konferencën Kombëtare të Programit për një Rilindje Shqiptare ku flet për sportin duke ngritur peshë sallën me fjalë të thjeshta e humor tipik shkodran. Paguan menjëherë pasojën e bashkëpunimit me opozitën e shpallur armike nga pushteti. I heqin vjehrrin dhe vëllain nga puna.

Vjehrri anëtar i PD dhe drejtor i bujqësisë për qarkun Shkodër, por me dhëndrin bashkëpunëtor të armikut! Historia e këtij kampioni që ngre flamurin shqiptar nëpër botë dhe në atdheun e tij trajtohet armiqësisht me libër shtëpie, është fatkeqësisht historia e përditshme e Shqipërisë së marrë peng në lirinë e saj. Është historia e përditshme e shkeljes brutale të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi për shkak të bindjeve a mosbindjeve të tyre.

Po edhe më keq, është historia e një hakmarrjeje primitive që prek familjen e të afërmit për të kallur frikën përreth. Kjo histori do marrë fund pas 23 qershorit. Liria, konkurrenca dhe merita do jenë vlerat me të cilat do marrë formë Shqipëria e rilindur. Ku njerëzit e suksesshëm në punë, sipërmarrje, shkencë, art apo sport do vlerësohen lart për suksesin e tyre dhe nuk do cenohen kurrë për mendimet, bindjet, përkatësitë e tyre politike. Kjo është rilindja që duam!”

Momentalisht Arbis Vjerdha është anëtar i këshillit bashkiak në Tiranë./OraNews/

Shpërndaje