Sportistët elitarë tashmë do të kenë një trajtim ndryshe. Kështu u shpreh ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, Evis Kushi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Kushi deklaroi se ndryshimet për trajtimin e sportistëve elitarë bazohen në eksperiencat më të mira europiane dhe nisur nga triumfi i Briken Çaljen në botërorin e fundit, ministrja shtoi se peshëngritësit do të shpërblehen për të gjitha garat e fituara në kompeticionet ndërkombëtare në shtytje, shkëputje dhe dygarësh.
“Për sportistët elitarë që ngrenë lart flamurin kombëtar. Miratuam disa ndryshime në statusin në kriteret, shpërblimet dhe trajtimet e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerët e tyre. Qëllimi është që t’i motivojmë sa më shumë sportistët tanë dhe t’u krijojmë të gjitha kushtet për të pasur rezultate në gara ndërkombëtare. Natyrisht këto ndryshime janë në përputhje me synimin tonë për të mbështetur sportin, por edhe për të përmbushur standardet. Masat e shpërblimit janë caktuar sipas kampionateve., Për herë të parë peshëngritësit do të shpërblehen për të gjitha garat, shtytje, shkëputje dhe dygarësh. Pra Briken Çalja do të shpërblehet si të gjithë sportistët e tjerë europianë”, u shpreh Kushi.