Bordi i Transparencës ka vendosur të ndryshojë sërish çmimin e karburanteve në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara, vihet re një rritje e çmimit të naftës me pakicë. Nga 169 lekë/litër, që ishte në vendimin e fundit, tashmë një litër ka shkuar në shifrën 173 lekë/litri.
Benzina është rritur me 1 lek, nga 172 lekë/litri, do shitet me 173 lekë/litri. Kurse gazi është rritur me 1 lekë për litër, nga 62 lekë/litri , do të shitet 63 lekë/litri me pakicë. Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot në orën 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit.
Njoftimi i Bordit:
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë : Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 173 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 173 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 63 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 51 lekë/litër për automjetet. Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 79 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 10 Maj ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.