Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli i sheh të papranueshme ndryshimet e Kodit Zgjedhor të propozuara nga Partia Socialiste në tryezën e Këshillit Politik.
Në një intervistë për gazetarin e ABC News, Juxhin Mustafaraj, Topalli flet për një dakordësi nga lidershipi i Partisë Demokratike që këto ndryshime të socialistëve të kalojnë në heshtje, duke i mbyllur derën çdo individi apo force të re politike.
Sipas Topallit, pas zgjedhjeve të vitit 2021 Rama dhe Basha do të bashkëqeverisin së bashku.
Topalli flet edhe për ringritjen e demokratëve, përmes një aksioni të brendshëm në selinë blu, të cilin e sheh rezultativ edhe nëse do të ndodh 7 muaj përpara zgjedhjeve.
“Propozimet në Kodin Zgjedhor i mbyllën derën forcave dhe kandidatëve të rinj. Heshtja e PD për mbrojtjen e sistemit, do t’i japë Ramës mandatin e tretë. Më 25 prill qytetarët nuk do të kenë alternativë, do zgjedhin mes të njëjtëve emra. Pas zgjedhjeve të 25 prillit, Rama do të ftojë në bashkëqeverisje Lulzim Bashën. Sikur Partia Demokratike të kishte një drejtues të pakorruptuar të jeni të sigurtë që Rama do të humbte zgjedhjet. Do të votoja po të kishte një lëvizje për ndryshim, një lëvizje për të rrëzuar këto tre oligarkë dhe do të punoja për këtë. Është dëshpëruese por i shoh edhe të frikësuar kur ata kërkojnë me çdo kusht që të mos lejojnë askënd të futen në abdomenin e tyre. Fillimi i krijimit të këtyre forcave politike ka sjellë këto ndryshime të Kodit, ato janë propozuar nga PS dhe janë mbështetur në heshtje nga PD. Unë besoj në një brez që nuk ka pse të djeg veten e vet për të mbrojtur tre kryetar partish, ndaj flas dhe prandaj do flas në cdo rast ku ka brenda ca parime, kur luftohet korrupsioni.”, deklaroi Topalli.