Ndryshime në radhët e policisë së Shkodres…

Shpërndaje

Policia Vendore e Shkodrës është përfshirë në një sërë ndryshimesh në radhët brenda saj. Në këtë mënyrë Saimir Rrustemi i cili deri më tani ka qenë shefi i rendit dhe qetësisë publike në policinë e Shkodrës tashmë është emëruar shef i krimit të organizuar, një pozicion që për momentin ishte pa një drejtues. Krimi i organizuar ka një peshë të rëndësishme sepse për policinë përfshin luftën ndaj sasisë së madhe të kultivimit dhe trafikimit të drogës, trafiqet e tjera, asetet kriminale të individëve apo grupeve të ndryshme, kontrabandën apo edhe gjithë veprimtarinë e grupeve kriminale si dhe gjithçka tjetër që lidhet me krimin e organizuar.

Kjo lëvizje sipas burimeve nuk është e rastësishme pasi bëhet pak para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit me qëllim për të kufizuar sa më shumë përfshirjen e grupeve kriminale dhe ndikimin e tyre në këto zgjedhje. Kjo nuk është lëvizja e vetme sepse në vend të Saimir Rrustemit, shef rendi është emëruar Petrika Dunka i cili deri më tani ka qenë shef seksioni në sallën operative në policinë vendore të Shkodrës. Më përpara Dunka ka mbajtur edhe disa pozicione të tjera si drejtues. Ndërkohë shef seksioni në sallën operative është emëruar Ilir Hasa duke zëvendësuar Petrika Dunkën që ishte më përpara aty. Deri më tani Ilir Hasa ka qenë shef policimi në komunitet ndërsa tashmë do të ketë një tjetër pozicion. Këto lëvizje në policinë vendore të Shkodrës kanë qenë të pritshme.

Pak ditë më përpara është larguar si zëvendës drejtor Lorenc Meta i cili është emëruar si specialist në drejtorinë e përgjitshme të policisë në Tiranë ndërsa në vend të tij është emëruar si zëvendës drejtor në policinë e Shkodrës Kujtim Gjoka i cili më përpara ka qenë në drejtorinë vendore të policisë në Lezhë. Policia pritet që të ketë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet parlamentare për të ruajtur rendin dhe sigurinë si dhe për të shmangur çdo përplasje të mundshme por edhe për të ndaluar veprimtarinë e grupeve kriminale./StarPlus/

Shpërndaje