Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ka diskutuar sot projektligjin “Për disa ndryshime në “Kodi Rrugor”, duke miratuar me kosnensus disa ndryshime. Ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me shpejtësitë e lejuar në autostradat shqiptare, si dhe rritjen e moshës për mbajtjen e lejes së drejtimit.
Pas disa diskutimesh, deputetët e komisionit kanë vendosur që shpejtësia e lejuar nëpër autostradat shqiptare nga 110 km/h që është aktualisht, të rritet në 130 km/h.
Sipas deputetëve në komision, por dhe ekspertëve të sigurisë rrugore që ishin të pranishëm në mbledhjen e komisionit parlamentar, autostradat në Shqipëri i kanë kushtet për lëvizjen e automjeteve në nivelin e shpejtësisë deri në 130 km/h.
Një ndryshim tjetër ishte edhe kufiri i moshës për të lejuar mbajtjen e patentës. Tashmë, me ndryshimet e miratuara në komision, qytetarët deri në 70 vjeç, do t’u lejohet mbajtja e patentës. Kohëzgjatja ndryshohet nga mosha 65 vjeç deri në 70 vjeç.
Vendim tjetër i miratuar në komision është dhe lejimi i mbajtjes së dy patentave. Kushdo qytetar shqiptar që zotëron një patentë të huaj, nuk do ti hiqet e drejta për të mbajtur edhe atë të vendlindjes.
Në komision u diskutua dhe për lëvizjen e monopatinave në rrugët interubane. Deputetët sugjeruan që të vendosen rregulla edhe për këta drejtues mjetesh.
Ndryshimet e propozuara dhe të miratuara në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, pritet të votohen edhe në Kuvend, ku kërkohet një shumicë e cilësuar votash, minimumi me 2/3 e votave të parlamentarëve.