Ndjekje si në filma në Shkodër – Dy të rinjtë e arrestuar dje, dyshohen për vendosje tritoli…

Shpërndaje

Mikelian Toma, 32 vjeç, dhe David Simoni, 34 vjeç, u arrestuan mbrëmjen e së mërkurës në Shkodër pas një ndjekjeje nga policia. Dyshohet se ata ishin nisur për të vendosur një sasi tritoli, por u pikasën nga forcat blu.

Motoçikleta e tyre u vu re rastësisht në një prej rrugëve të lagjes “Xhabije”, ku po lëviznin me skafandra. Sjellja e tyre ngjalli dyshime tek policia, e cila u sinjalizoi të ndalonin. Në vend të kësaj, drejtuesi i saj shtoi shpejtësinë për t’u larguar.

Policia nisi ndjekjen rrugicë më rrugicë për rreth 20 minuta, deri sa arriti t’i ndalojë pranë Varrezave të Dëshmorëve, afër Urës së Kirit. Motoçikleta e tyre u përplas gjatë tentativës për t’u arratisur. Nga verifikimet rezultoi se targat ishin të vjedhura dhe numri i shasisë ishte i ndryshuar.

Dyshohet se gjatë ndjekjes ata hodhën lëndën plasëse, e cila nuk është gjetur. Të arrestuarit refuzuan të bashkëpunojnë në marrjen në pyetje, duke mos dhënë asnjë deklaratë. Nuk dihet ende kush ishte shënjestra e tyre, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Kontrolli i dy makinave të tyre zbuloi një bidon me benzinë, një silenciator dhe pak kokainë, duke shtuar më shumë dyshime mbi qëllimet e tyre.

Shpërndaje