Kompania Curri sh.p.k do të jetë zbatuesja e kontratës sa i takon ndërtimit të Muzeut të Lundrimit në qytetin e Shkodrës.
Pjesë e projektit që mbështetet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim sa i takon përmirësimit të infrastrukturës dhe lehtësimit të aksesit në zonat turistike, kjo kontratë parasheh këtë projekt në funksion të rritjes së potencialit turistik të qytetit.
Në procedurën e prokurimit të shpallur pak kohë më parë në sistemin e BERZH bëhej me dije se kjo ishte pjesë e komponentit 1 që synonte përmirësimin e potencialit të turizmit kulturor. Kompania fituese tashmë duhet ta përmbyllë këtë projekt brenda 10 shkurtit 2026.
Ndërtimi i një Muzeu Lundrimi në Shkodër është përmendur përciptazi duke mos dhënë shumë detaje mbi këtë projekt por ai është pjesë e një pakete të plotë ndërhyrjesh që po kryhen në këtë rajon duke synuar rritjen e potencialit turistik.
Në fund të tetorit po si pjesë e projektit të BERZH u shpall një tjetër fitues për atë që është pagëzuar si Parku Ligatinor ku fitues me një kontratë 4.2 milionë euro ishte kompania Fusha.
Sipas të dhënave të procedurës Parku Ligatinor është një zonë e veçantë që ndodhet në veri të zonës. Kjo zonë strategjike mbron ligatinën e liqenit të Shkodrës duke lejuar prurjet e tij në stinët e shirave. Në të njëjtën kohë, Parku Ligatinor ofron funksione rekreative për qytetarët të tilla si zona për ecje dhe pushim me pamje nga ligatinat dhe objektet sportive.
Parku Ligatinor ka një rëndësi të madhe strategjike për Shkodrën sepse është një projekt i parë i përshtatur me aspektin e ndryshimeve klimatike në Shqipëri që rregullon prurjet.
Këto procedura janë pjesë e projektit për përmirësimin e infrastrukturës në zonat turistike që po zbatohet prej disa vitesh dhe që ka një vlerë prej 40 milionë euro të financuara nga grante dhe kredi të Bashkimit Europian, BERZH por edhe kontribut nga buxheti i shtetit./ N.Maho/Monitor/