15 procedura ligjore për konfiskim ndërtimesh janë firmosur nga kryeministri Rama këtë të hënë. Me anë të një video-mesazhi në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë sqaroi se ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik dhe do të shfrytëzohen për mjedise zyrash për administratën, strehim social apo shërbime sociale.
“Çfarë nuk na dëgjuan veshët dhe ç’nuk ju thanë kur e nisëm operacionin e ligjzbatimit për shkeljet e lejeve të ndërtimit për qëllim fitimi! Por mes sfidave të mëdha të kohës që jetojmë dhe llumit të pandarë të gjysëm të vërtetave, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, do të vazhdoj t’ju them atë që bëj, e do vazhdoj ta bëj atë që them.
Sot kam firmosur pas kalimit në të gjitha hallkat ligjore, plot 15 procedura për konfiskimi ndërtimesh, ku për qëllime fitimi, janë tejkaluar kufijtë ligjorë të lejeve, ose në disa raste është ndërtuar komplet pa leje fare. Ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik. Hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash për administratën, për strehim social, ose për shërbime sociale”, tha Rama.
Duke u ndalur te akuzat e artikuluara nga opozita se qeveria kërkon të largojë vëmendjen nga problemet reale dhe bën show, kryeministri u është përgjigjur sot duke thënë se rrethi i shkeljeve po ngushtohet dhe po i vjen fundi aventurës me fund të paralajmëruar.
“Ky operacion ligjzbatimi i cili ka vazhduar përtej Tiranës në një fushë ku e dini shumë mirë të gjithë ka pasur shumë probleme në 30 vjet dhe ku kemi ardhur duke e ngushtuar rrethin e shkeljeve përbën dhe kapakun e kësaj historie. Pasi nuk besoj se do gjenden më të atillë të marrë që t’i hyjnë një aventure me fund të paralajmëruar. Kur e nisëm çfarë nuk dëgjuam dhe me çfarë nuk u helmua opinioni publik: Është thjesht show për të larguar vëmendjen! Ja pra nuk ishte e vërtetë! “Është Pazar me oligarkët, për t’ua kthyer mbrapsht të legalizuar metrat dhe katet pa leje”. Ja që as kjo nuk ishte e vërtetë! “Është amnisti për të shpëtuar nga ndëshkimi ligjor”. Gënjeshtër e madhe edhe kjo, sepse Qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd dhe edhe po të dojë madje dhe konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia. E vërteta është që për të gjitha këto, letrat kanë kohë që flenë nëpër prokuroritë e rretheve. Fatkeqësisht jetojmë në një kohë ultësie morale dhe tretjeve të normave etike ku pasqyrat e informimit janë shëmbylltyra më ulëritëse e dezinformimit. Dhe ku gjysmë të vërtetat të cilat janë dhe gënjeshtrat më të mëdha mbushin pa pushim kanalet e komunikimit. Gjithsesi unë do vazhdoj të them atë që bëj dhe të bëj atë që them deri në fund”, tha Rama.