Ndërron jetë Shkrimtari dhe Publicisti i njohur shkodran, Skender Temali…

Shpërndaje

Ka nderuar jetë ne moshën 75 vjecare, Shkrimtari dhe publicisti i njohur shkodran, Skender Temali. Prej një muaji ishte infektuar nga covid19 dhe fatkeqeisht sot ka humbur jetë. Njoftimin për vdekjen e shkrimtarit e ka bërë i biri me anë të një postimi në rrjenin sociale facebook.

Njoftimi i plote:

Me dhimbje të thellë, njoftojmë se ndërroi jetë pas betejës një mujore me Covid, babai ynë, Skënder Temali. Ceremonia mortore bëhet me datë 18.04.2021, në Varrezat publike të Shkodrës, në orën 10:00. Për shkak të situatës aktuale të pandemisë, ju mirëkuptojmë plotësisht pamundësinë e pjesëmarrjes.

Ceremonia për familjarët, miq, shokë e dashamirë do të organizohet në një moment të dytë më të përshtatshëm.

Me respekt, familja Temali

Jeta dhe veprat e Skender Temali:

Është lindur në Shkodër më 30 korrik 1946, ku jeton. Këtu kreu Universitetin “Luigj Gurakuqi”.  

Për 15 vjet punoi redaktor në shtypin e Radion e Shkodrës, revistën “10 Korriku” dhe për një çerek shekulli mësues i letërsisë dhe drejtues në shkollat e mesme.

Përfshihet në enciklopedi e përmbledhje të ndryshme letrare. Krijime të tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në vitin 2018 doli vëllimi i tij me tregime në gjuhën malazeze “Këtë dimër nuk ra dëborë”, botim i “Centar za očuvanje i razvoj kulture manjina Crne Gore”.

Si publicist e shkrimtar nderohet me çmime lokale e kombëtare. Në vitin 2001, me tregimin “Këpucët e turpit” në gjuhën italiane, merr çmimin special të jurisë në Konkursin e 7-të Ndërkombëtar të Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve “Cristalide” të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga shumë shtete të botës. Në vitin 2015 me poemën “Unë, Ballkani dhe Europa”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në manifestimin mbarëkombëtar “Drini poetik” i akordoi çmimin “Adem Demaçi”. Pen Klubi i Malit të Zi e ka nderuar me mirënjohen e tij.

Në vitet 2013-2017 themeloi dhe kryesoi Shoqatën e Shkrimtarëve të Shkodrës, duke përmbledhur e redaktuar tri antologji voluminoze “Pena e Shkodrës” me krijime të anëtarëve. Udhëhoqi mjaft promovime librash dhe qe bashkëpunues në veprimtari të përbashkëta me organizata homologe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni.

Që nga viti 1971 botoi 20 vëllime më vete në poezi e prozë. Ka të përfunduar në dorëshkrim romanin “Hotel Univers”, vëllimet me poezi “Vajza që nuk putha” dhe me tregime “Ngjarje në plazhin nudo”, përmbledhjen me novela “Studentja nga Shkodra” si dhe monodramën “Vijmë në këtë botë për t’u gënjyer”.

Botime të autorit:

  • Këngë cigane, – libër me vjersha dhe poema, viti 1971
  • Kjo ndodhi në Lis – roman, viti 1982
  • Ballo në mbrëmjen e maturës, – tregime e novela, viti 2001
  • Ishte një lajthishte – poemë për fëmijë, viti 2002
  • Gjuha shqipe – tekst me bashkëautore Mimoza Gjokutaj, viti 2002
  • Këpucët e turpit – tregime, viti 2002
  • Nesër do të them mirëmëngjes – novelë, viti 2003
  • Studentja e Bolonjës – novelë, viti 2004
  • Shtëpia pa pasqyra – tregime, viti 2006
  • “Askushi” – roman, botuar në gjuhën shqipe në Maqedoni, viti 2006
  • Tre shokët – vjersha e poema për fëmijë, viti 2007
  • Lirika të hershme dhe te vona – poezi, viti 2010
  • Kur vuaj, shkruaj – poezi, viti 2012
  • Curriculum Vitae – poezi, viti 2013
  • Stina e divorceve – novelë, viti 2014
  • Të pathënat, poezi, viti 2016
  • Metamorfoza e inxhinier Brunos – tregime të zgjedhura, viti 2016
  • Një det pa dallgë s’është det, – aforizma dhe sentenca, viti 2017
  • Këtë dimër nuk ra dëborë-tregime në gjuhën malazeze, Pogoricë, 2018.
  • Vajza që nuk putha – Poezi, 2019

Stafi i RealitetiPost i shpreh ngushellime familjes

Shpërndaje