Nderron jetë pacienti nga Shkodra, ishte shtruar tek Infektivi, MSH: Nuk ishte shkak koronavirusi

Shpërndaje

Pak më parë ka ndërruar jetë tek spitali Infektiv një burrë nga Shkodra, i cili ishte shtruar disa ditë më parë për shkak të koronavirusit.

Gazetarja Ajgena Korbi bën me dije për abcnews.al se pacienti që ndërroi jetë kishte sëmundje të tjera shoqëruese.

Abcnews.al mëson se bëhet fjalë për një 69 vjeçar.

Burri është infektuar në spitalin e Shkodrës nga Infermierja dhe u soll në Tiranë bashkë me disa pacientë të tjerë që ishin infektuar në të njëjtën mënyrë disa ditë më parë.

Ky është shkodrani i pestë i infektuar që ndërron jetë në spital.

Ndërsa, me anë të një reagimi, Ministria e Shëndetësisë thotë se koronavirusi nuk ka qenë shkak për vdekjen e 69-vjeçarit.

Sipas MSH, pacienti ka ndërruar jetë si pasojë e hemorragjisë cerebrale. Shtohet gjithashtu se 69-vjeçari prej 13 vitesh kishte tumor në kokë dhe kishte kryer 3 ndërhyrje. MSH shton gjithashtu se shkodrani ishte në koma.

Njoftimi:

Lidhur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e një pacienti 69-vjeçar nga Shkodra me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se:

Pacienti 69-vjeçar nga Shkodra që ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, ka humbur jetën si pasojë e sëmundjes hemoragjisë cerebrale (aksidentit vascular hemoragjik).

69-vjeçari ishte prej 13 vitesh me tumor në kokë dhe kishte kryer 3 ndërhyrje. Kishte hemorragji cerebrale dhe ishte në gjendje të rëndë në koma.

Sipas spitalit infektiv, 69-vjeçari nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19, pasi ishte bartës i virusit, por pa shenja të sëmundjes, (asimptomatik) dhe ka ndërruar jetë si pasojë e hemoragjisë cerebrale.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare. 

Shpërndaje