Gerd Muller, legjenda e futbollit gjerman, ka ndërruar jetë, njoftoi Bayern Munich në faqen e tij të internetit sot.
“Sot e gjithë bota e Bayern-it është në pikëllim. Klubi më i suksesshëm gjerman dhe tifozët e tij mbajnë zi për Gerd Muller, i cili ndërroi jetë herët mëngjesin e së dielës. Ai ishte 75 vjeç”, njoftoi Bayern.
Futbollisti legjendar gjerman shkëlqeu me paraqitjet e tij në vitet 60 dhe 70 të shekullit të kaluar
Muller ishte një nga golashënuesit më të mirë në historinë e futbollit. Ai aktualisht është i teti në listën e golashënuesve më të mirë të ekipit kombëtar të të gjitha kohërave.
Deri kohët e fundit, ai gjithashtu mbante rekordin e Bundesligës me më shumë gola të shënuar. Gjermani legjendar shënoi 365 gola në 427 paraqitje, dhe ky rekord u thye nga polaku Robert Lewandowski në raundin e fundit të Bundesligës sezonin e kaluar.
Muller u shpall Futbollisti Evropian i Vitit më 1970 për suksesin e tij në Bayern Munich dhe për shënimin e 10 golave në Kupën e Botës 1970.
Ai gjithashtu fitoi Kupën e Botës 1974 me Gjermaninë Perëndimore dhe u përfshi në 100 futbollistët më të mirë të FIFA -s të të gjitha kohërave, kurse në vitin 2000 ai u shpall golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave.