Ndalimi i tubimeve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit apel qeverisë: Rishikoni vendimin

Shpërndaje

Komitetit Shqiptar i Helsinkit është shprehur kundër masës së qeverisë shqiptare, e cila ka ndaluar tubimet e qytetarëve, me qëllim mbrojtjen e tyre nga pandemia globale e COVID-19.

Me anë të një deklarate për shtyp, KSHH-ja shprehet se pavarësisht situatës së vështirë  të pandemisë që po kalon Shqipëria, e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur nuk duhet të cenohet në asnjë moment.

“Megjithëkëtë, KShH mendon se, edhe në situatën e pandemisë që po kalojmë, tubimet (veç rasteve të parashikuarë në ligj), nuk duhet të kufizohen dhe aq më tepër të ndalohet ushtrimi i kësaj të drejtë. Kjo nuk do të thotë të mos respektohen masat përkatëse kufizuese, siç janë distancimi fizik i protestuesve, përdorimi i mjeteve mbrojtëse prej tyre”,  thuhet në njoftim.

Ky institucion kërkon nga autoritetet të rishikojnë  aktin normativ  nr.3, i cili parashikon dënime me gjobë deri në 500 mijë lekë të reja për subjektet apo individët që organizojnë tubime apo protesta. KSHH-ja thekson se Shqipëria duhet të ndjekë praktikën  e vendeve të tjera evropiane, që kanë lejuar mbajtjen e tubimeve duke respektuar masat kufizuese.

“KShH vëren se bazuar edhe në praktikat e vendeve të tjera demokratike të Evropës, ku janë lejuar tubimet që respektojnë distancimin fizik dhe me masa mbrojtëse, kjo dispozitë vlen të rishikohet për të evituar interpretimet e ndryshme dhe subjektive dhe për të garantuar të drejtën themelore të tubimit dhe lirinë e organizimit ndaj çdo qytetari që respekton masat mbrojtëse”, sqarohet në njoftim.

Shpërndaje