Nafta sot shitet 221 lekë/litër, benzina më lirë, asnjë vendim publik nga Bordi i Transparencës…

Shpërndaje

Një litër naftë po tregtohet me 221 lekë për litër, nga 203 lekë për litër që ishte më parë.

Benzina po tregtohet më lirë, ndryshe nga deri tani kur ishte përgjithësisht një apo dy lekë për litër më shtrenjtë sesa nafta. Një litër benzinë po tregtohet sot me 211 lekë, nga 206 lekë për litër që ishte më parë.

Bordi i Transparencës fikson çmimet që prej tre javësh, por nuk ka njoftuar vendimin e marrë një ditë më parë.

Në bursa, nafta tregtohej të martën në mëngjes në 118 dollarë për fuçi, në rritje nga niveli më i ulët i muajit prej pak nën 100 dollarë rreth një javë më parë. Përshkallëzimi i konfliktit Rusi-Ukrainë dhe shqetësimet për furnizimin me naftë po e shtrenjtojnë arin e zi në bursa.

Në vend, nafta arriti deri në 260 lekë për litër në fillim të marsit, pasi u ngjit në 130 dollarë në bursat ndërkombëtare. Pas kësaj rritjeje, Qeveria krijoi Bordin e Transparencës, i ngritur me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit.

Shpërndaje