Nafta çmim rekord në Shqipëri, në bursa ka rënë. Ku bazohet Bordi i Transparencës?

Në orën 18:00 ka hyrë në fuqi rritja e çmimit të naftës në Shqipëri në vlerën 265 Lekë për litër, më e larta e vendosur ndonjëherë që nga krijimi i Bordit të Transparencës që është ngritur enkas për të mos lejuar abuzimet në treg.

Por nga sot qytetarët do të paguajnë një çmim rekord për naftën që prek jo vetëm përdoruesit e automjeteve, por të gjitha kategoritë e popullsisë për shkak të efektit zinxhir që shkakton në ekonomi, duke filluar nga ushqimet e shportës e produkte të tjera.

Luhatja e çmimeve të karburanteve reflektohet nga çmimi i bursës ndërkombëtare. Aktualisht nafta e përpunuar në bursat e Londrës dhe të Nju Jork shitet me 113 Dollarë për fuçi, ndërkohë që një javë më parë ky çmim ishte 120 Dollarë për fuçi. Javën e kaluar çmimi i naftës në vendin tonë shkoi 258 Lekë/litër kur në bursa ndërkombëtare ishte 120 Dollarë/fuçia.

Aktualisht që në bursat e huaja është reflektuar ulje prej 5-7 Dollarë për fuçi, çmimi i naftës në vendin tonë u rrit në 265 Lekë/litër, çmim rekord deri më sot.

Pyetja që lind natyrshëm është se ku bazohet Bordi i Transparencës për çmimin e naftës që ka vendosur sot në Shqipëri?