
Nga Albert Vataj
Që prej atij momenti të hershëm, në vitin 1907, kur në Shkodër u shfaq biçikleta e parë, e sjellë nga konsulli suedez, ky qytet nisi të shkruajë një histori dashurie me dy rrota. Dëshmia më e hershme është ngulitur në një fotografi të çmuar të fondit “Marubi”, ku Zef Çeka dhe Simon Deda, të veshur me elegancë qytetare, pozojnë krenarë me biçikletat e tyre. Në atë kohë, infrastruktura ishte më tepër një aspiratë se sa realitet, por dashuria e shkodranëve për biçikletën nuk njohu pengesa. Ajo u bë një lidhje që s’e ndal dot as rruga me gropa, as kalldrëmi, as përbuzja e teknologjisë.
Shkodra e rrëfen veten jo vetëm përmes kalasë, liqenit, katedraleve, xhamive, muzeve, por edhe përmes tingujve të ziles së biçikletës. Ajo është pjesë e fizionomisë urbane, një simbol i përulët por i palëkundur i një identiteti që mbijetoi përmes viteve, stinëve dhe ndryshimeve. Ajo nuk e fitoi kurrë një vend në flamur, nuk u skalit në ndonjë stemë zyrtare, por u rrënjos thellë në kujtesën kolektive të qytetit si ikonë e heshtur, e kudogjendur, e pazëvendësueshme.
Por një dashuri, për t’u ruajtur dhe jetuar, ka nevojë për duar që e mbajnë gjallë. Duar që nuk janë vetëm të afta, por që rrokin zanatin si mision, si trashëgimi dhe si formë e pasionit qytetar. Një prej këtyre figurave të rralla është pa dyshim Myzafer Durahu, mjeshtër që e ka kthyer zanatin e riparimit të biçikletave në një art të përditshëm, në një mënyrë për të mbajtur gjallë jo vetëm mjetin, por edhe historinë e tij.
Myzaferi, i njohur ndryshe si Myzi, është një nga ata njerëz që nuk përshkruhen dot vetëm përmes profesioni. Ai është një institucion i heshtur i qytetit, një kujtesë e gjallë e kohëve kur zanati ishte më shumë se burim jetese – ishte nder dhe përkushtim. Biçikleta nuk është thjesht një objekt pune për të; është shok i përditshëm, është simbol i Shkodrës që ai nuk e lejon të zbehet nga pluhuri i harresës moderne.