Myrteza Çaushi kërkon sërish lirinë me pretendimin se ka kryer dënimin

Shpërndaje

Është rikthyer sërisht në gjykatën e Korçës, Myrteza Çaushi, ose siç njihet ndryshe “Zani i Vlorës”, i dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm. Pak ditë më parë ai ka paraqitur një kërkesë të dytë për lirim me kusht nga burgu i Drenovës, ku qëndron prej disa vitesh.

Kërkesa e parë, është dorëzuar në 14 maj 2020, por pas debateve të shumta në sallën e gjyqit mes tij, juristit të burgut dhe prokurores, Çaushi ka hequr dorë nga kjo kërkesë, duke bërë që gjyqtari i çështjes Selaudin Pysqyli, në muajin korrik 2020 të marë vendimin për rrëzimin e kërkesës.

Por teksa kanë kaluar disa muaj, tashmë në gjykatën e Korçës është rregjistruar një kërkesë e dytë e Myrteza Çaushit, i cili kërkon “lirimin me kusht”, duke pretenduar se 2/3 e dënimit i ka kryer. Çështja i ka rënë sërisht gjyqtarit të Korçës, Selaudin Pysqyli, i cili pasi të shqyrtojë dhe analizojë faktet do vendos për lirimin me kusht ose jo.

Mësohet se është depozituar edhe një kërkesë të dytë në gjykatën e Korçës, e cila ka të bëjë me ndryshimin e masës së sigurisë të vuajtjes së dënimit, ku aktualisht qëndron në burg të sigurisë së lartë dhe pretendon që të transferohet në atë të sigurisë së zakonshme.

Për këtë kërkesë, seanca ishte parashikuar që të zhvillohej këtë të martë, por është shtyrë për shkak të mungesës së gjyqtares. Vetë Çaushi, pretendon se ka vuajtur mbi 31 vite burgim, ndërsa prokuroria e Korçës thotë se Zani, ende nuk ka mbushur kuotën e 25 viteve të qëndrimit brenda ambjenteve të burgut.

Shpërndaje