A është ky njeriu që mund të mbartë amanetet e Zotit?
Mbrëmjen që kaloi dëgjova njërin prej mendimtarëve dhe thirrësve islamë të afirmuar botërisht, që thërriste drejt një qasjeje të frikshme, teksa përpiqej me urtësinë e tij karakteristike të hidhte dritë mbi realitetet, me të cilat po përballet globi në këtë luftë të re botërore.
Thoshte se “u mbyll Qabja e Madhnueshme, u mbyll xhamia e Pejgamberit (a.s.), u mbyllën xhamitë anëmbanë botës. Por, këto janë shtëpitë e Zotit!”…
All-llahu i Madhëruar po na tërheq vëmendjen! A nuk është koha dhe momenti që gjithësecili prej nesh të shohë në veten e tij dhe të pyesë: A kam qenë i drejtë dhe a jam i tillë me Zotin tim? A kam qenë i denjë për të trokitur në derën e Tij, në këtë botë, në këtë derë materiale? Pse po mbyllet dera sot? Çfarë është ky virus i vogël, a kjo situatë e madhe, që nëpërmjet tyre, Zoti i gjithësisë, në një mënyrë a një tjetër, na sjell këtë realitet?
A nuk është kjo e bollshme që njeriu të pyesë veten e tij: Si kam qenë në marrëdhënie me Zotin? A kam qenë njeri ndërtues me atë që Zoti don prej meje, apo e kam humbur fillin e thirrjes së Krijuesit të gjithësisë për të jetuar si krijesa më e përsosur dhe si ndërtues i jetës dhe i vlerave në këtë botë të përkohshme?
A arriti njeriu i sotëm i kësaj kohe, i këtij shekulli, të ndërtojë ura komunikimi nëpër botë, të përhapë paqen nëpër botë, të ruajë kufijtë e lirisë dhe demokracisë nëpër botë, të përhapë vlerat e dijes, përparimit të shkencës, përhapjes së virtyteve, ruajtjes së cilësisë së jetës në këtë kohë dhe për racën njerëzore, apo dështoi?
Apo pamë dhe u bëmë dëshmitarë, në një mënyrë e një tjetër, të llahtareve të shumta, të frikërave të shumta dhe të sprovave të çuditshme, që kapluan botën tonë; diku me vrasje, diku me shkatërrim, diku me përmbytje, diku me vllavrasje, diku me fajde, diku me drogë, diku me krim, diku me..?!
A është ky njeriu që mund të mbartë amanetet e Zotit për ta ndërtuar jetën e për t’i dhënë vrull të mirës në këtë botë të përkohëshme?
Apo është momenti që gjithësecili prej nesh të mendojë se kemi dështuar, të dashurit e mi! Të gjithë së bashku kemi dështuar, por nuk është bërë kijameti, nuk është përmbysur bota!
Është momenti për t’u kthyer dhe për të menduar fort në thirrjen e All-llahut të Madhëruar në ajetin 38 të sures Muhammed: “Po nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju!”!
Është ky momenti për të reflektuar dhe për t’i kërkuar falje Zotit? Gjithësecili prej nesh ka një marrëdhënie të caktuar me botën, me jetën, me njerëzit, mirëpo, mos ta harrojmë Zotin, o të dashur! Mos ta harrojmë atë që na krijoi dhe jemi krijesat e Tij të dobëta; por sa të fortë e krenarë jemi, kur e dijmë se çdo gjë që ndodh në këtë botë, e ka Një Zot të Vetëm, me të Cilin, po të jemi, kemi më shumë se krejt botën me vete! Kemi Krijuesin e botrave dhe jemi në dorën e Tij!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Nga mesazhi i xhumasë, mbajtur sot, më 20 mars 2020, live në profilin e Myftinisë Shkodër)