Kjo ishte pamja e tregut të gjësë së gjallë në Milot të Kurbinit këtë të dielë.
Murtaja afrikane e derrit , e cila është shfaqur në Lezhë, ku deri më tani kanë ngordhur mbi 70 krerë, nuk e ka ndaluar tregtimin e kafshëve në këtë pazar informal.
Pavarësisht Urdhërit të Ministrisë së Bujqësisë, shitja e derrave dhe mishit pa asnjë lloj sigurie vijon normalisht në Milot.
Qytetarët ndihen të frikësuar nga shfaqja e sëmundjes, duke ndaluar konsumimin e mishit të derrit, pasi sipas tyre mungojnë kontrollet.
Në zbatim të masave për parandalimin e Murtajës afrikane të Derrit, Autoriteti i Veterinarisë në Lezhë ka bërë me dije se në bashkëpunim me policinë e shtetit në orët e para të mëngjesit të së dielës jane ngritur pika kontrolli në rrugët që të çojnë drejt tregut të Milotit për të ndaluar lëvizjen e derrave ku janë bllokuar disa automjete, por sipas Veterinarisë nuk kanë gjetur mbështetjen e Bashkisë Kurbin e cila ka për detyrë bllokimin e pazarit informal të Milotit, i cili vijon aktivitetin çdo të diele në kushte skandaloze.
Ndërkohë vatra me murtajen e derrit e shfaqur në Ishull-Lezhë është izoluar dhe gjatë ditës së diele nuk ka patur raste të reja, ndërsa i gjithë fshati do të mbahet në karantine për 21 ditë.