Mul Delia, Bajraktari i Hotit dhe të parët e tij deri në 16 breza, me një histori gati 500 vjeçare…

Nga Caf Jonuz Culaj

Memorie.al/Në historinë e krahinave veriore të Shqipërisë, janë të përmendun fise të shqueme për bujari, trimni, e urtësi. Janë të përmendun edhe drejtues të tyre. Një prej tyre, pa harrue të tjerët, është dhe fisi Hoti dhe udhëheqësit e tij. Sot numërohen 16 breza të kësaj dere drejtuese. Le t,i numërojmë nga fillimi, Lazër, Gegë, Junc, Cekë, Gjon, Lucë, Mehmet, Mustafë, Haxhi, Mul, Çun, Met, Deli, Kastriot dhe Denis. Në bazë të përllogaritjeve që bëjnë etnologët, del se kjo derë, ka një moshë afro 500 vjeçare, d.m.th 5 shekullore. Secili nga këta udhëheqës, ka historinë e vet. Për njenin prej tyre, Çun Mulën, që mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, poeti i madh Gjergj Fishta do të shkruante, “Ky Çun Mula shpi e rrept, kur hanë bukë i verbët e i shkept, në Hot shtëpi e parë, djalë mbas djalit bajraktar”.

Muli, djali i madh i Delisë, që njihet ndryshe dhe si Mul Bajraktari, lindi në 1895. Hoti, tradita e fama e tij, ishin shkollat e para që e përgatitën me vazhdue mësimet e para ma tej. Fare i ri, ai ndoqi mësimet në Austri, në nji shkollë ushtarake. Mbasi i mbaroi shkëlqyeshëm ato, u rikthye me gradën toger. Shërbeu në armën e Kufirit, në mbarë Shqipërinë, duke pasë mendjen tek Hoti i tij i fëmijërisë, duke pasë mendjen tek bashkimi i trojeve shqiptare, deri atëherë të copëtueme. Ai ishte për Shqipërinë etnike. Në 7 Prill 1939, Italia fashiste sulmoi dhe pushtoi Shqipërinë. Mul Delia në atë kohë komandant batalioni në Tiranë, me gradën toger, i’u bashkue Abaz Kupit, Ibrahim Mandiqit e të tjerëve, që luftonin në Durrës për mbrojtjen e kufirit bregdetar. Luftoi sa mundi deri në fishekun e fundit. Ma tepër nuk mund të bënte. Mandej u tërhoq në jetën private, në fshatin e lindjes.

Regjimi fashist, kërkoi ndihmën e tij, por ai nuk u përzie. Ai ishte për nji Shqipëri të bashkueme, në të cilën liria dhe barazia, garantoheshin nga ligjet ku do të mbretëronte rregulli dhe qetësia. Për këtë qëllim në vitin 1942, organizoi Besëlidhjen në Malësi, që kishte për detyrë, me pajtue gjaqet dhe ruajtjen e qetësisë. Në 30-31 gusht të vitit 1943, forca të shumta italiane, sulmuan fshatin Reç. Fashistëve i’u desh të përballonin forcat e armatosura nacionaliste, të përbame nga populli i Reçit, nga partizanët e batalionit “Perlat Rexhepi”, nga ballistë e legalistë dhe nga ushtarë shqiptarë, që kishin dezertuar nga ushtria italiane, nji muaj më parë. Lufta zgjati dy ditë dhe përfundoi me thyerjen e fashistëve. Me rëndësi është se Mul Delisë, i’u kërkue nga disa tradhtarë, që t’i bashkonte forcat me italianët, por ai nuk pranoi. E para se qe antifashist dhe e dyta ai s’mund të shkaktonte luftë vëllavrasëse në malësi. Ky gjest kujtohet edhe sot.

Për fashistët, pas këtij qëndrimi, Mul Delia, qe halë në sy. Edhe me ardhjen e gjermanëve, ai ishte prapë në shënjestër. Në verën e vitit 1944, arrestohet dhe internohet në Mat’hausen të Austrisë. Eqerem Karma nga Berati kujton: “Me Mul Bajraktarin jemi dërgue njëherësh në kamp. Qëndronim gjithë kohës bashkë dhe me shokët. Aty ne konsideroheshim të vdekur. Unë kisha numrin 136555, kurse Muli, 136556”. Kuptohet nga lexuesit se çfarë ishin kampet naziste të shfarosjes. Atje do të vdisje, si pasojë e punës së detyruar, lodhjes, sëmundjeve, etj. Qenë me fat ata që mbijetuan, ndërmjet të cilëve dhe Muli. Forcat aleate që triumfuan mbi nazifashizmin, bënë të mundur dhe çlirimin e këtyre fatkeqëve nga këto kampe. Shumica prej tyre u riatdhesuan në vendet e origjinës. Shqiptarët, u stacionuan në Bari, ku ndodhej dhe Shtabi Aleat i Mesdheut.

Aty Muli, u takue me shumë nacionalistë shqiptarë, që kishin mundur me i shpëtue rrethimit komunist. Ata i treguan për gjendjen e Shqipërisë në atë kohë duke i thanë për gjyqet, pushkatimet, burgosjet, internimet, etj. Ai aty mori vesh se nacionalistët shqiptarë nuk kishin vend. Në këto rrethana, ai vazhdoi jetën e emigrantit politik, fillimisht në Itali e mandej në Siri. Fotografia që është bë në këtë shkrim është shkrepur në Reggio Emilia më 12.7.1947. në të cilën, ia dërgon motrës së tij “Në shenjë kujtimi i’a lë motrës sime të dashur Rushe”. E ma poshtë “Kujtimi i ditëve të mërgimit”. Në emigracion punoi me idenë e rrëzimit të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Për këtë, do të punonte me emigrantët e tjerë, me besimin se në Shqipëri do të vinin ditë më të mira. Në kulmin e veprimtarisë së tij sëmuret dhe vdes, në Damask të Sirisë. Ai u varros me nderimet e duhura. Lajmi i vdekjes së tij u përhap anembanë.

Në Mal të Zi, kushëriri i tij Smajl Haxhia, nxori vigun dhe bëni drekë mortore në prani të shumë shqiptarëve nga Hoti, Gruda, Plava, e Gucia. Lajmi ilegalisht hyri dhe në Shqipëri. Djemtë dhe vajzat e tij, nipërit dhe mbesat, morën ngushëllimet tinëzisht. Ishte një kohë që brezi i sotëm e ka shumë vështirë ta kuptojë. Mund edhe të gjykoheshe penalisht për këtë gjest njerëzor. Mul Delia, nuk mbeti vorrë hupur. U desh ardhja e demokracisë që eshtrat e tij të vinin në Shqipëri. I biri i tij, Leka dhe kushëriri Delo Çun Mula e rivarrosën në vendlindjen e tij. Rivarrimi i eshtrave të tij qe i bujshëm. Nga të dy anët e kufirit, nuk numëroheshin malësorët burra e gra që morën pjesë në këtë ceremoni. Ishin shumë e askush nuk mund ti numëronte. Ishin dhe autoritetet e pushtetit vendor. Aty Mul Delisë iu dorëzue nga Presidenti i Republikës urdhri “Për shërbime të larta patriotike në dobi të atdheut”. /Memorie.al