Muhamed Sytari: Ky Islam është Dritë e pastër, që nuk njolloset nga askush në botë!

Shpërndaje

Ky Islam është shpresa e këtij shekull!

Ky Islam është Dritë e pastër, që nuk njolloset nga askush në botë! Pra, sikur të mblidhen krejt djajt e botës për ta njollosur sadopak këtë Islam të pastër, nuk do ia arrijnë, të dashurit e mi!

Dikur ju thonin: ‘Problemi i hixhabit’, sot ju thonë: ‘Islami në krizë!?’, aty ju thonë: ‘Karikaturat (e gjoja Profetit) janë liri e të shprehurit!?’, këtu ju thonë: ‘Laicizmi”, etj.

Të gjitha këto propaganda së bashku, nuk arrijnë dot ta shuajnë këtë dritë të pastër, që përhapet ditë pas dite, gjithandej nëpër botë, për të dëshmuar gjithësecili prej nesh me sytë e zemrës e me sytë e ballit atë fjalë të madhe të Pejgamberit (a.s) që thoshte: ‘Do të mbërrijë kjo çështje (kjo fé), ku ka mbërritur nata dhe dita!’.

Kjo do të thotë se ky Islam dhe kjo Dritë e madhe është shpresa e këtij shekulli, është e mira e madhe e munguar e njerëzimit në këtë kohë dhe në këtë shekull, që do të thotë se ky shekull është shekulli i Islamit!

Prandaj, ti si musliman, a je gati për ta dëshmuar mirësinë e kësaj dëshmie të madhe të Pejgamberit (a.s), për të qenë përhapës i kësaj Drite?

Imam Muhamed B. Sytari

Nga ligjërata e të shtunës, më 3 tetor 2020, në xhaminë e Anës së Malit, pas namazit të akshamit.

Shpërndaje