MSH-ja nxjerr urdhër për qytetarët e bizneset, si do operohet këtë fundjavë

Shpërndaje

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar udhëzimin e plotë për këtë fundjavë për lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve, si dhe për veprimtarinë e bizneseve. 

Përmes një urdhri, MSH-ja bën me dije se kjo fundjavë  do të jetë e mbyllur për pjesën më të madhe të aktiviteteve ekonomike. Në listën e bizneseve që do të lejohen të operojnë këtë të shtunë janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë deri në orën 21:00, kurse e diela do të jetë e mbyllur.

Sa i takon lëvizjes së qytetarëve, dita e shtunë dhe e diela janë vënë në dispozicion të pensionistëve, prindërve dhe fëmijëve deri në 14 vjeç. Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e djeshme se kjo fundjavë do të jetë e njejtë me të kaluarën. 

“Kjo fundjavë do të vijojë njësoj si e shkuara. Ta kaloni sa më qetë”, shkroi Rama në “Facebook”.

Ditën e diel, urdhri i vjetër parashikon se të gjitha aktivitetet do jenë të mbyllura. Gjithashtu, po në urdhrin e vjetër, thuhet se qarkullimi i automjeteve private është i ndaluar. Këto masa kufizuese janë vetëm për zonat e kuqe siç janë; Tirana, Shkodra, Durrësi, Kruja dhe Kurbini.

“Sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, fundjava do të jetë e kufizuar. Nuk do të lejohen aktivitetet e biznesit, përveç farmacive dhe pikave të shitjes së produkteve ushqimore me pakicë, të cilat lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre ditën e shtunë, datë 23 Maj 2020 deri në orën 21:00. Ndërsa ditën e diel te gjitha aktivitetet do të jenë të mbyllura. Nuk do të lejohet lëvizja e makinave, ndërsa sa i takon lëvizjes së këmbësorëve, lejohet lëvizja e pensionistëve, ditën e shtunë dhe ditën e diel, datë 23 dhe 24 maj 2020 deri në orën 10:00, të shoqëruar me jo më shumë së një person në krah. Lejohet gjithashtu lëvizja e prindërve me fëmijëve deri në moshën 14 vjeç, ditën e shtunë dhe ditën e diel, datë 23 dhe 24 maj 2020, pas orës 11, të pashoqëruar me persona të tjerë në krah”, thuhet në urdhrin e  MSH-së. 

Screenshot_6.jpg?t=1590212223
Screenshot_5.jpg?t=1590212223
Shpërndaje