Moratoriumi i gjuetisë do të shtyhet edhe me pesë vite të tjera, gati drafti i ri…

Shpërndaje

Moratoriumi i gjuetisë pritet që të shtyhet edhe me pesë vite të tjera.

Një draft i nxjerrë për konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) bën të qartë se viti 2021 nuk do të jetë viti kur moratorium në fuqi do të marrë fund.

Kjo është shtyrja e dytë që i bëhet këtij moratoriumi që nisi në vitin 2014, ndërsa në fund të vitit 2016 u vendos që të shtyhej për herë të parë me të paktën pesë vjet. Por çfarë parashikon saktësisht drafti i ri i nxjerrë për konsultim?

Lidhur me përjashtimet në nenin 4 thuhet se do të përjashtohen nga fusha e zbatimit, pra nga ndalimi i gjuetisë, rastet kur ajo kryhet për shkak të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit, sipas legjislacionit në fuqi për gjuetinë.

Po kështu, në rastet kur gjuetia bëhet për qëllime kërkimore-shkencore.

Në nenin 6 parashikohet se organet që monitorojnë rregullat për ndalimin e ushtrimit së gjuetisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet institucioneve të varësisë brenda fushës së përgjegjësisë që mbulon; Ministria e Brendshme nëpërmjet Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit; Strukturat përgjegjëse kontrolluese/inspektuese në bashki.

Të gjitha këto struktura kanë të drejtë të vendosin gjobë në rast të konstatimit të shkeljes.

Drafti parashikon edhe sanksionet në rastet kur konstatohet shkelje. Në nenin 7 thuhet se shkeljet, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen sipas rastit.

Kur  shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) – 1 000 000 (një milion) lekë.

Kur shkelja kryhet nga një person ose personi është pjesëtar i subjekteve organizuese, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, personi dënohet me gjobë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) – 100 000 (njëqind mijë) lekë.

“Në rastet e përsëritjes së shkeljes nga subjektet, përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut” thuhet në draft./Monitor/

Shpërndaje