Modernizimi i Hekurudhës Vorë – Hani i Hotit: BERZH Përfundon Fazën e Parë të Tenderit…

Shpërndaje

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka përfunduar fazën e parë të tenderit për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, pas një shtyrjeje njëmujore. Procesi i prokurimit publik nisi në dhjetor, dhe fillimisht kompanitë e interesuara kishin afat për dorëzimin e ofertave deri më 24 janar 2025. Megjithatë, BERZH vendosi ta zgjasë këtë afat deri më 24 shkurt.

Përmbyllja e procedurave tenderuese dhe nënshkrimi i kontratës do të hapin rrugën për një ndër projektet më të rëndësishme hekurudhore në vend. Punimet do të përfshijnë modernizimin e rreth 120 kilometrave të linjës ekzistuese midis Vorës dhe Hanit të Hotit, duke synuar një shpejtësi operimi prej 100–120 km/orë.

Sipas përditësimeve më të fundit nga faqja e prokurimeve publike të BERZH, faza e shprehjes së interesit nga kompanitë pjesëmarrëse është mbyllur. Në këtë fazë të parakualifikimit janë identifikuar subjektet që plotësojnë kriteret për të vijuar më tej në garë. Kompanitë e përzgjedhura do të ftohen në fazën e dytë të procesit, e cila do të çojë në përzgjedhjen e kontraktorit final për realizimin e projektit.

Ky modernizim do të përfshijë zgjerimin e rrugës deri në 6.6 metra, forcimin e strukturës mbështetëse, rehabilitimin ose zëvendësimin e 12 urave kryesore, si dhe ndërtimin dhe përmirësimin e tunelit të Lezhës. Po ashtu, projekti parashikon ndërrimin e superstrukturës së hekurudhës dhe modernizimin e 13 stacioneve përgjatë linjës.

Me një kosto prej 368 milionë euro, ky investim bashkëfinancohet nga Banka Evropiane e Investimeve, BERZH, një grant nga Bashkimi Evropian dhe qeveria shqiptare. Këto fonde do të mbulojnë jo vetëm punimet ndërtimore, por edhe risistemimin e tokës dhe detyrimet tatimore të nevojshme për finalizimin e projektit./RealitetiPos/

Shpërndaje