Mjeku “kasap” i QSUT! Pacienti keq pas operimit në privat: Vari le****! Zv/drejtoresha fshehu matjet për rrezet në spital…

Shpërndaje

Emiljano Lela, koordinatori në Spitalin e Onkologjikut, i shihte pacientët pa mëshirë, si raste të arta për të përfituar para. Sapo konstatonte në spital qytetarë në hall në pritje të trajtimit për sëmundjet tumorale, i afrohej, i kërkonte të braktisin mjekun që kishin rekomandimin për vizitë dhe më tej i orientonte tek bashkëpunëtori i tij, Edmond Gashi, onkologu në QSUT me klinikë private te Astiri, “Megis”, me masë arresti shtëpiak.

Kështu futi në kurth edhe një qytetar në nevojë nga Burreli që priste në radhë jashtë spitalit me nënën e tij të sëmurë që sapo ishte diagnostifikuar me tumor në gji. Pasi i çoi te Edmond Gashi, mjeku, sipas dëshmive të cituara në dosjen e prokurorisë së Tiranës, i ka parë letrat e zonjës në mënyrë sipërfaqësore dhe në sytë e tyre e ka bërë gjendjen alarmante duke u thënë se duhej operacion i menjëhershëm, por se në shtet ka radhë dhe biopsinë do e bënte te klinika e tij. Pas një muaji koordinatori i Onkologjikut Emiljano Lela i ka telefonuar që nëna duhej të vinte për operacion te “Megis” dhe se pagesa ishte 3000 euro, por meqë i rekomandoi ai do përfitonin ulje, 2500 euro.

Nga komunikimet që prokuroria ka zbardhur mes Edmond Gashi dhe vartësve të tij në klinikë, kur lajmërohej se ndonjë nga pacientët kishte temperaturë, mjeku nuk shkonte pranë tyre, por i përgjigjej stafit me gjakftohtësi jo njerëzore ndaj një të sëmuri, duke i thënë “vari le****”.

Sipas dosjes, Brikena Qirjazi, nëndrejtoreshë e QSUT-së, me masë detyrim paraqitje, e ngarkuar për mbulimin e shërbimit onkologjik nuk ka marrë masa për vendosjen në punë të burimit të kobaltit për radioterapitë edhe pse aparaturat dhe lënda kimike kanë ardhur në Shqipëri që në vitin 2021.

Organi i akuzës thotë se një sërë matjesh nga ekspertë të huaj, ngritën alarmin se rrezatimi nga burimi i kobaltit nëpër korridoret e onkologjikut ishte 20 herë më i lartë se normat, por të dhënat e ekspertit gjerman janë fshehur duke mos iu vënë në dispozicion  Zyrës për Mbrojtjen nga Rrezatimet. Edhe një mjek i Onkologjikut ngriti zërin për rrezikun dhe kërkoi zgjidhje në një mbledhje me zv.drejtoreshën Qirjazi dhe kolegë, por të gjithë iu kthyen kundër e për këtë arsye zgjodhi të largohej nga puna ambientet e brendshme të së cilës nuk ishin më një vend i sigurt për shëndetin.

Spitali nuk plotësoi standardet për vënien në punë të kobalto-terapisë, edhe pse një ekspertizë e ish-specialistët Drilona Kishta garantonte se ishin kushtet për një bunker anti-radioaktiv. Mbi këtë ekspertizë të gabuar, u porosit dhe u soll në shtëpi burimi i kobaltos që përveç kostos financiare nuk  ka shërbyer asnjë ditë për kurimin e pacientëve.

Shpërndaje