Ministrja Xhaçka publikon emra e viktimave të termetit, thirje qytetarëve: “mos u riktheni në banesat e demtuara”

Shpërndaje

Të dashur qytetarë,

ky është komunikimi më i vështirë, që mund t’i takojë një zyrtari të shtetit shqiptar e që do doja mos të ndodhte kurrë.
Tërmeti i datës 26 ishte vërtet një ngjarje e rëndë. Ka shkaktuar frikë dhe ankth, ndjesi të cilat përsëriten sa herë Toka lëkundet, ashtu siç ndodhi disa minuta më parë, ka shkaktuar dëme masive, që do të duhet kohë për t’i rekuperuar, por do t’i rekuperojmë. Shtëpitë do të rindërtohen; bizneset do të ringrihen; jeta do të rifillojë për të gjithë qytetarët dhe do të keni, të gjithë mbështetjen tonë, gjithë mbështetjen e shtetit shqiptar, partnereve ndërkombëtare, qytetarëve shqiptarë, për të kaluar këtë situatë të vështirë e për të rifilluar nga e para.

Por, ka diçka që nuk mund ta kthejmë më mbrapsht. Askush nga ne nuk mundet! Janë 28 jetë të humbura, që lenë pas një boshllëk, që askush nuk e mbush dot.

E di që fjalët janë të tepërta e asgjë s’mund t’i ngushëllojë familjet e tyre për humbjen, por në shenjë respekti për jetët e humbura, dua të ndaj sot me të gjithë qytetarët emrat e të 28 fëmijëve, vajzave, djemve burrave e grave, që nuk arritën t’i mbijetonin kësaj tragjedie, për t’i kujtuar së bashku në këto orë dhimbjeje e ngushëllimi për të gjithë.

Në Durrës kahë humbur jetën:

1- Amelia Lala, 8 vjeç
2- Esiela Karanxha, 8 vjeç
3- Bajram Hajdarmataj, 54 vjeç
4- Sadik Qato, 85 vjeç
5- Isah Abazi, 29 vjeç
6- Flatar Zenelaj, 64 vjeç
7- Eviola Broshka, 28 vjeç
8- Kristi Reçi, 24 vjeç
9- Sehadete Lala, 79 vjeç
10- Djena Karanxha
11- Eduart Reçi
12- Shemsedin Abazi

Në Krujë:

1. Ariela Lala 4 vjeç
2. Bukurije Leka
3. Erisa Cara
4. Fatmira Cuka 44 vjeç
5. Selvie Lala 77 vjeç
6. Saimir Greku
7. Kristjan Preçi 26 vjeç
8. Sardi Cuka 18 vjeç
9. Hajrie Vata 65 vjeç
10. Klevis Çupi (Aliu) 34 vjeç
11. Drita Cakoni 58 Vjeç
12. Pëllumb Greku 57 Vjeç
13. Çelike Grupieku 57 Vjeç
14. Hajredin Çupi, 66 Vjeç
15. Kastriot Cakoni

Ndërsa në Lezhë:
Marjan Preçi 25 vjec – u dëmtua nga tërmeti dhe automjeti që po e dërgonte në spital ka dalë nga rruga, për pasojë Marjan Preçi ka humbur jetën.

Janë momente shumë të vështira për të gjithë ne. Me shumë ankth. Me shumë dhimbje për jetët e humbura, por dhe shumë shpresë për të lënduarit.

Kjo ka qenë një ngjarje vërtet e rëndë. Por nëse ka në këtë situatë një fenomen mbresëlënës, është pa dyshim fryma e jashtëzakonshme e solidaritetit, që kemi parë brenda dhe jashtë vendit.

Jam ndjerë vërtet edhe e prekur, por edhe shumë krenare, siç jam e bindur edhe të gjithë ju, kur kam parë skenat e qytetarëve, që përpiqeshin e përpiqen të ndihmojnë brenda dhe përtej mundësive të tyre. Dhe, jam vërtet mirënjohëse dhe pa fjalë në fakt, nga ata qindra e mijëra shqiptarë të thjeshtë, që kanë vërshuar të ndihmojnë, duke asistuar në operacionet e kërkim – shpëtimit, duke dhuruar ushqime e veshmbathje, duke hapur dyert e shtëpive, apo hoteleve për të strehuar ata që janë prekur nga kjo tragjedi.

Dua t’i falënderoj edhe njëherë të gjithë qytetarët, që ende sot po vazhdojnë të punojnë vullnetarisht, të palodhur e shpesh duke rrezikuar shumë. Ashtu siç dua të falënderoj edhe të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë, e mbi të gjitha vëllezërit e motrat tona kosovare që na janë gjendur ashtu siç dinë shqiptarët t’i gjenden njëri – tjetrit në orët e tyre të vështira. Jam pa fjalë! Faleminderit nga zemra!

Por, dua ta shfrytëzoj këtë rast për të përsëritur të njëjtin mesazh: “Ende nuk ka kaluar faza e rrezikut!” Ky rrezik sot vjen mbi të gjitha nga godinat e dëmtuara, që mund të jenë në rrezik shembje, që mund të kenë pësuar dëme strukturore. Prandaj dua të përsëris thirrjen për qytetaret:

Ju lutem mos u riktheni në shtëpitë tuaja, nëqoftëse ato kanë dëmtime të tilla! Edhe nëse nuk jeni të sigurtë, është më mirë për ju, për familjet tuaja, që të prisni derisa të bëhen verifikimet nga ekipet e ekspertëve të cilat janë organizuar tanimë dhe do të jenë në terren 24 orë në ditët në vijim.

Po ashtu, dua t’u bëj thirrje të gjithë autoriteteve vendore që ta përshpejtojnë sa më shumë këtë proces, sepse ky nuk është thjesht një proces inventarizimi dëmesh e vlerësimesh, por një proces që shpëton jetë njerëzish. Është një përgjegjësi shumë e madhe të cilës i duhet shkuar deri në fund me përgjegjësinë e rigorozitetin më të madh. Duke marrë seriozisht e inspektuar çdo raportim e denoncim e duke mos e çuar situatën në një pikë ku njerëzit humbasin durimin, lodhen duke pritur dhe marrin parasysh rrezikun e rikthimit në banesat e dëmtuara.

E di që ky proces ka nisur vetëm sot. Prandaj kjo e imja nuk është një kritikë, por një paralajmërim që të investohen tek ky proces me gjithë seriozitetin që meriton kjo situatë dhe meritojnë qytetarët shqiptarë. Sigurisht për të gjitha ato mungesa në kapacitete profesionale që bashkitë mund të kenë, do të asistohen nga profesionistë të institutit të ndërtimit, apo shoqatës së ndërtuesve për ta kryer procesin e verifikimit në kohe sa më të shpejtë.

Do të jemi në kontakt në orët në vijim për mv shumë informacion…

Shpërndaje