Ministrja Manastirliu nga gjimnazi “Kolë Idromeno”: Investime te reja në 5 shkolla të Shkodres…

Shpërndaje

Shkodër, 20 prill – Nga gjimnazi “Kolë Idromeno” në Shkodër, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi se pesë shkolla të reja do të financohet këtë vit në Bashkinë e Shkodrës. Shkolla “Kolë Idromeno” është një ndër shkollat që do të rikonstruktohet plotësisht me financimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës, për të ofruar kushte të përmirësuara mësimore për rreth 400 nxënës. Për gjimnazin i cili mban emrin e piktorit dhe arkitektit të shquar shqiptar Kolë Idromeno, nis shumë shpejt puna për modernizimin e shkollës me një investim prej 133 milion lekësh që synon të përmirësojë të gjitha aspektet e infrastrukturës shkollore, duke përfshirë ambientet e brendshme dhe të jashtme, laboratorët dhe terrenet sportive.

“Janë dy shkolla që fillojnë investimin në këtë vit që rikonstruktohen tërësisht, po ashtu dhe riorganizohen ambientet në tre shkolla të tjera, ku do të investojmë në ambientet sportive dhe palestrat. Janë mbi 4.5 milion euro që qeveria shqiptare, Ministria e Arsimit dhe Sportit tashmë po investon në shkollat në Shkodër, së bashku me investimin e bashkisë”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.

Duke folur për përmirësimin e infrastrukturës arsimore me programin e investimeve të këtij viti, Ministrja Manastirliu tha:

“Ministria e Arsimit dhe Sportit është angazhuar që në ciklin buxhetor 2024-2025 më shumë se 40 shkolla dhe terrene sportive të rehabilitohen, në mënyrë që të kemi një përmirësim edhe të nivelit të mësimdhënies, por edhe duke angazhuar shkollat si qendra komunitare”, bëri me dije Ministrja Manastirliu.

Të pranishëm në takimin me mësuesit e gjimnazit “Kolë Idromeno” ishte edhe drejtuesja politike e PS për qarkun Shkodër, Ministrja Elisa Spiropali dhe Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, të cilët nënvizuan se investime madhore po konkretizohen në infrastrukturën arsimore në Shkodër.

“Sot ne kemi ardhur me një gjë konkrete, ne do të fillojmë këtë investim të domosdoshëm për komunitetin, sepse Bashkia e sheh qytetin e Shkodrës si një qytet miqësor për rininë, për studentët”, tha kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci.

“Ne këto investime i kemi premtuar jo vetëm si premtime politike, por si premtime që komuniteti shkodran meriton, jo vetëm për shkak të historisë, por edhe talenteve që dalin nga ky qytet. Këto janë investime infrastrukturore që kanë një peshë shumë të madhe për nxënësit dhe të ardhmen e tyre”, tha Ministrja Elisa Spiropali.

Përveç shkollës “Kolë Idromeno” projektet që përfshijnë rikonstruksionin e mjediseve të brendshme dhe të ambienteve sportive janë edhe në shkollat “Ndre Mjeda”, “Dëshmorët e Prishtinës”, “Preng Jakova” dhe “Adem Haxhija” në Qarkun Shkodër. Ministria e Arsimit dhe Sportit bashkë me Bashkinë e Shkodrës ka planifikuar investime që janë pjesë e një plani më të gjerë që përfshin 6 projekte arsimore në qarkun e Shkodrës, të cilat synojnë të ofrojnë një arsim cilësor dhe të arritshëm për çdo fëmijë në këtë qark.

Në të gjithë vendin përfundojnë këtë vit 100 objekte arsimore, falë programit të rindërtimit të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pushtetit vendor dhe partnerëve ndërkombëtarë, teksa po hapen 40 kantiere të reja, financime të MAS, për transformimin e infrastrukturës arsimore nga veriu në jug.

Shpërndaje