Pse merresh me festivale/aktivitete? Ti na ke premtuar më shumë të ardhura për Shkodrën…
E kam dëgjuar disa herë këtë pyetje gjatë këtyre muajve dhe po e ilustroj me aktivitetin e radhës që jam duke mbështetur, festivalin e parë të këtij lloji në Shqipëri: atë të skulpturave të rërës, LAS.
Në dhjetor 21’ , si deputete e Qarkut Shkodër, organizova një konkurs fotografie “Shkodra nëpërmjet monumenteve të kulturës” me synim promovimin e fotografëve dhe të monumenteve të shumta që ka Qarku Shkodër. Pas shpalljes së fituesit, gjatë një kafeje me artistët diskutuam për mënyrat e ndryshme si mund të promovojmë më tutje Shkodrën.
I ofrova asistencë FALAS nëpërmjet skuadrës së projekteve që artistët të fokusoheshin vetëm tek idetë kreative (nuk jemi më ne 96’ kur e thoje me gojë idenë dhe hapej thesi i parave , duhen projekt propozime dhe te plotësohen kriteret në çdo thirrje ). Shumë ide u thanë atë ditë, por fatkeqësisht thuajse të gjitha mbetën aty, në tavolinën e kafes. Thuajse, sepse njëra nga artistet shkoi përtej .
E kam fjalën për artisten e talentuar Beskida Kraja . Shkodrania vjen nga një familje artistesh ku babai i saj, skulptori Skënder Kraja ka lënë shenjë me artin e tij. Beskida, megjithëse artiste ndërkombëtare që e ndan jetën mes Athinës e Milanos, kokën e ka pas tek Shkodra. Kemi të përbashkët “pikën e dobët”, Velipojën, e kështu bisedë pas bisede një ide po kthehet në një aktivitet unik në llojin e tij , që zgjat 4 ditë në Velipojë në datat 24-27 gusht.
Një falënderim për Ministren e Kulturës @elvamargariti dhe stafit që ajo drejton për miratimin dhe financimin e këtij projekti. Një falenderim edhe për të gjithë skuadrën dhe vullnetarët, të cilët po kujdesen “prapa kuintave” që aktiviteti të jetë aq madhështor sa artistja që e ka projektuar .
Një falënderim edhe më të veçantë e kam për bizneset, të cilët i shtohen mbështetjes financiare të festivalit . Në këto kohë krize, jemi të gjithë tē ndërgjegjshëm për vështirësitë e shtuara. Ndaj, mirënjohje për të gjithë që po kontribuojnë në këtë festival apo kush ka kontribuar në aktivitetet më përpara të realizuara sepse vërtetojnë që nuk i mungon asnjëherë përgjegjësia sociale për të ndikuar pozitivisht në komunitetin ku jetojnë .
Ka një numër të madh aktivitetesh të planifikuara përgjatë datave 24-27 gusht në LAS festival, si:
ndjekja e krijimit të veprave nga artistët ndërkombëtarë
këndi i fëmijëve
animatorë socialë
sporte ujore dhe në rërë
kinema
festë për rininë
këndi i sigurisë rrugore i DPSHTRR
masterklasa
kënde ekspertësh etj.
Megjithëse jemi ende në fazë përgatitore rezultatet që presim janë:
Velipoja futet në hartën ndërkombëtare të vendeve që realizojnë aktivitete të ngjashme duke na ekspozuar ndaj target grupeve të ndryshme turistësh në vijim;
Fluks i shtuar në Velipojë do të thotë më shumë paraqë qarkullon dhe qëndron tek operatorët lokalë;
Promovimi i aktivitetit nga vizitorët bën që të promovohet i gjithë plazhi ;
Paralelisht me festivalin, disa biznese do të jenë duke ofruar shërbimet e tyre komplementare si: aktivitetet e dedikuara për fëmijë , festat , ushqimi , e pijet )etj duke krijuar të ardhura edhe për to.
Ndaj, herë tjetër kur t’pyesni pse merret një deputet me këto aktivitete, ju ftoj të lexoni sa më sipër dhe ta sfidojmë veten për më shumë !