Ministrja e Arsimit, Besa Shahini i hoqi licencën një shkolle private që u mbyll prej frikës nga koronavirusi. Vetë ministrja u shpreh në “Facebook” se vendimi i shkollës është i paligjshëm.
“Shkolla mbyllet jashtë planit të vitit shkollor VETËM me urdhër ministri. Udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për 2 javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën.”
Besa Shahini sqaroi se nxënësit që merrnin mësim në këtë shkollë do të transferohen në një shkollë tjetër. Ndërsa për drejuesit e shkollës në fjalë, ajo kërkoi që autoritetet e drejtësisë të reagojnë.
“Nxënësit do të transferohen në një shkollë tjetër. Ndërsa udhëheqësit e shkollës që përhapin panik duke mbyllur shkollën në mënyrë të jashtëligjshme, për gjoja parandalim të një situate virale e cila NUK ekziston në Shqipëri, duhet të ndiqen nga organet e drejtësisë.”
Drejtoria e shkollës jopublike “Udha e shkronjave” njoftoi ditën e dielë se ka vendosur të mbyllë shkollën për dy javë nga frika e shpërthimit të epidemisë së virusit kinez në vendin fqinjë Itali. Ky vendim, shton drejtoria e shkollës, u mor pas konsultimit me prinderit dhe specialistet.