Presidenti Ilir Meta ka ritheksuar kërkesën e tij për përgjegjshmëri maksimale në përballimin e situatës nga koronavirusi në Shqipëri, pas konfirmimit të dy rasteve në Shqipëri.
Në një konferencë për mediat, kreu i shtetit deklaroi se po e ndjek situatën hap pas hapi dhe është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet shtetërore.
Ai u shpreh se në këto momente, duhen fonde që situata të mos dalë jashtë kontrollit, ndërsa këshilloi qytetarët që ta përballojnë me përgjegjshmëri, qetësi dhe solidaritet situatën e krijuar.
“Të respektojnë protokollet dhe këshillat e mjekëve dhe të ndjekin sugjerimet e shtetit. Nuk ka vend për panik por as për nënvlerësimin me të vogël nga të gjitha institucionet dhe në mënyrë të veçantë nga cdo qytetar. Kërkohet përgjegjësi maksimale dhe bashkëpunim, profesionalizëm dhe transparencë. Shëndeti i cdo qytetari është prioritet. Mbështes të gjithë personelin shëndetësor që është para një sfide madhore, mjekët dhe infermierët që do u duhet që vec problemeve të tjera të mëdha të përballen edhe me këtë situatë.”
Po ashtu, Presidenti iu bën thirrje institucioneve të marrin masat për sigurimin e mjeteve për qytetarët, trajnimin e personelit, përcaktimin e karantinave, dezinfektimin dhe pajisjet. Ai shtoi se është i nevojshëm hartimi i një plani të detajuar ekonomik për veprimet mbështetëse për përballimin e ndikimit të virusit në ekonomi.
“Apeloj për plane të detajuara për cdo strukturë, plan monitorimi në terren të të gjitha strukturave, financim të plotë për materialet mjekësore, jo vetëm mjekësor por edhe forcat e sigurisë për të kaluar këtë pandemi. Duhet një plan i detajuar ekonomik për veprimet mbështetëse për përballimin e ndikimit të pandemisë në ekonomi. Mësimet e nxjerra nga vendet fqinje janë instrumentet e duhura për përballimin e kësaj situate. Nënvlerësimi më i vogël rrezikon jetën. Të gjithë në këto momente duhet të tregojmë përgjegjshmëri dhe bashkëpunim.”