Meta nuk dorëhiqet: në 2022-n rikthehem në LSI…

Shpërndaje

Premtimin se do të dorëhiqej nëse opozita do të humbte zgjedhjet (siç ndodhi), presidenti Ilir Meta nuk e mbajti. Ai thotë se do të mbyllë të plotë mandatin 4 vjeçar si kryetar shteti, dhe më 24 korrik 2022 do të rikthehet në Lëvizjen Socialiste për Integrim, që e themeloi në shtator të 2004-ës, për t’ia lënë më tej bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, kur u bë president.

“Në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, presidenti i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve”, shkruan zëdhënësi i presidentit.

Nuk lë jashtë vëmendjes, ndjesën publike që kryetarja e LSI-së bëri në daljen e parë pas humbjes së thellë të zgjedhjeve, me vetëm 4 mandate të fituata, nga 19 që kishte në zgjedhjet paralamentare të 2017-ës.

“Presidenti e falenderon për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve. Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore.

Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor”, thuhet në reagim.

Shpërndaje