Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin nr. 111/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar”.
Në një njoftim nga Presidenca thuhet:
Ky ligj, në mënyrë të pashpjeguar dhe arsyetuar, është shqyrtuar me urgjencë brenda 7 ditëve nga Kuvendi. Nisma që paraqitet si ndërhyrje në legjislacionin në fuqi për forcimin e mekanizmave ligjorë për mbrojtjen e interesit dhe pasurisë publike, në fakt rrezikon të shkaktojë një problematikë në raport me të drejtën e gëzimit dhe posedimit të pronës sipas titujve të fituar të pronësisë.
E vetmja çështje që duket se ka marrë vëmendjen më të madhe të qeverisë dhe Kuvendit është rregullimi i marrëdhënieve juridike që shteti ka lidhur apo do të mund të lidhë me persona të tretë për përdorimin e pasurisë pronë publike, tashmë edhe pa një afat të përcaktuar.
Ndërhyrjet e miratuara me ligjin nr. 111/2020, bëjnë që askush të mos jetë tashmë në gjendje të përcaktojë të paktën ligjërisht, nëse një pasuri pronë private e ndodhur në afërsi të bregdetit dhe e përfituar me një nga mënyrat e ligjshme të fitimit të pronësisë, sipas
– ligjit nr. 7501/1911 “Për tokën”,
– legjislacionit për kthimin dhe kompensimin e pronës,
– legjislacionit të privatizimit, apo
– një vendimi gjyqësor,
ndodhet ose jo nën regjimin e përcaktuar si pronë publike e patjetërsueshme pjesë e “vijës bregdetare”, si dhe çfarë do të ndodhë me mënyrën e gëzimit të kësaj të drejtë pronësie mbi këtë pasuri, me të gjitha të drejtat që burojnë prej saj.
Në praktikë ky ligj krijon hapësirën që të ndodhin abuzime të mëdha ashtu si deri më tani, ku për shkak të ndërhyrjeve dhe interesave të ndryshme, gjerësia dhe shtrirja e asaj që konsiderohet si “bregu i detit” të pësojë deformime të mëdha dhe jashtë realitetit, duke krijuar rrezik të shtuar për cenimin e pronës publike apo në raste të tjera, kjo pasuri arbitrarisht t’i nënshtrohet shpronësimit për interes publik.
Mbi të gjitha, ky ligj bën një trajtim preferencial dhe jo të barabartë të subjekteve apo individëve që gëzojnë tituj pronësie apo përdorimi mbi pasuri të paluajtshme përgjatë bregdetit shqiptar, në raport me investitorët në këto zona.
Ndërkohë që pronarët që kanë përfituar në mënyrë të ligjshme një titull pronësie me një nga mënyrat e parashikuara nga ligji, trajtohen në pasiguri të plotë për mundësinë e posedimit dhe përdorimit të pronës së tyre në të ardhmen, e cila pas ndërhyrjes me këtë ligj marrin statusin pasuri publike e patjetërsueshme;
ky ligj, tashmë këto prona që i konsideron si me interes publik, bën që të ndryshojnë në fakt thelbësisht destinacioni i tyre nëpërmjet tjetërsimit pa afat në shërbim dhe për interes të enteve private, duke cenuar edhe nivelin e përdorimit masiv të saj nga publiku i gjerë.
Ky ligj, në vend që të adresojë problematikën e pronave në Shqipëri, thellon edhe më shumë konfliktin social në vend.