Presidenti Ilir Meta vijon përplasjet në distancë me kryeministrin Edi Rama, teksa në një postim të fundit në ‘Facebook’ shkruan se “sot Esati i Rilindjes guxoi sërish të marrë nëpër gojë Vojo Kushin”.
Sipas Metës, Rama është pengu i armiqve më të egër të Kombit Shqiptar, që ka nxjerrë në shitje Shqipërinë dhe Kosovën dhe që provokoi para të gjithë shqiptarëve për të disatën herë se i urren Dëshmorët dhe Heronjtë e Atdheut.
Mes të tjerash, Kreu i Shtetit thekson se numërimi mbrapsht ka filluar dhe nuk do të ndalet, duke shtuar se Rama i ka gati më 25 prill tre milionë Ilirë.
Mesazhi i Metës:
Esati i Rilindjes, zëdhënësi i armiqve të Kombit Shqiptar, guxoi sërish sot të marrë nëpër gojë Vojo Kushin, duke ofenduar për të disatën herë Dëshmorët e Atdheut, familjarët e tyre, veteranët dhe të gjithë shqiptarët që nderojnë dhe krenohen me vlerat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Esati i Rilindjes, pengu i armiqve më të egër të Kombit Shqiptar, që ka nxjerrë në shitje Shqipërinë dhe Kosovën provoi para të gjithë shqiptarëve për të disatën herë se i urren Dëshmorët dhe Heronjtë e Atdheut, si Vojo Kushi, që kanë sakrifikuar gjithçka, duke falur edhe jetën e tyre, për Atdheun!
Esati i Rilindjes, armiku më i egër i socialistëve idealistë, guxoi sot të fyejë edhe simbolin e tyre dhe të Partisë Socialiste, trëndafilin e kuq si gjaku, që prej kohësh e ka zëvendësuar me gjethen e kanabisit dhe barin e egër të Rilindjes, që rritet në llumin e oligarkisë dhe bandave.
Esati i Rilindjes duhet ta ketë të qartë se numërimi mbrapsht për të dhe Sektin pa nder, pa vlera e pa Atdhe që përfaqëson, ka filluar dhe NUK DO NDALET!
TRE MILIONË ILIRË NË 25 PRILL I KA GATI!
Dhe nuk më thua, o trendi buburrec, kur do dalësh në përballje me mua?
Mezi po të pres!