Mesazhi i Myftiut të Shkodres, Imam Muhamed Sytari për zgjedhjet e 25 prillit…

Shpërndaje

🎙 Të dielën e 25 prillit 2021, Shqipëria voton! Secili prej nesh, duhet ta ndjejë si përgjegjësi të madhe kombëtare, të mos e neglizhojë të drejtën e tij legjitime, që përkthehet në një përpjekje sociale për më të mirën e vendit dhe jetës sonë, në kushtet e këtij sistemi!

Përse Resulullahu (a.s) udhëzoi sahabët e tij të emigronin nga Meka e bekuar drejt Habeshesë, që e drejtonte një mbret, për të cilin ai zotni tha: “… tek i cili nuk i bëhet kujt padrejtësi!”?

Ky është një mësim i madh në historinë e ruajtjes së dinjitetit të mëkëmbësit të Zotit në tokë! Si për të na thënë, se në rrugën e kërkimit të më të mirës, nuk ka pushim, nuk ka gjumë, nuk ka dorëzim, nuk ka neglizhencë e nuk ka kthim shpine!

Dilni dhe votoni, me lutjen e ditës së Ramazanit, që ky vend e kjo tokë të kenë përherë bekimet e Zotit, që shqiptari të jetojë në harmoni e vëllazëri me shqiptarin, që diversiteti të na shtyjë përherë e më shumë drejt respektimit dhe gatishmërisë për të bashkëpunuar për të mirën e Shqipërisë sonë të shtrenjtë, për të sotmen e rinisë dhe të ardhmen e fëmijëve!

Lutuni në sexhde e pas çdo namazi për Shkodrën, për Shqipërinë, tamam siç lutej Resulullahu (a.s) për vendlindjen e tij e për Medinen e Ndriçuar: “Zoti im, begatoje Medinen, sa dyfishi i begatisë që i ke dhënë Mekës!”.

Lutuni dhe punoni me të gjitha rrugët legjitime, që thelbi i duasë tuaj që del nga zemra, të dëshmohet në tokë, që secili prej nesh e fëmijët tanë të jetojnë me dinjitetin e të përkufizuar në Kuran: “mëkëmbës” i Zotit, i ftuar për të befasuar edhe melekët me përkushtimin dhe lartësinë e tij!

Lutuni dhe jetoni lart, me krejt përzgjedhjet tuaja të urta e largpamëse për të mirën e të sotmes e të ardhmes së këtij vendi, që Allahu e caktoi të jetë atdheu ynë, brez pas brezi!

Allahu i Madhëruar e begatoftë Shkodrën tonë, Shqipërinë e shtrenjtë dhe i gëzoftë zemrat e shqiptarëve me dritën e dashnisë së Tij!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, 23 prill 2021
(Nga hytbeja e mbajtur në xhaminë e Parrucës, Shkodër, më 23 prill 2021)

Shpërndaje