Mendimtari Islam Keftaro: “Edhe toka do të ankohet për këtë njeri shkatërrimtar të saj”!…

Shpërndaje

Dr. Salahudin Keftaro mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Parrucës

Ditën e xhuma, më 6 nëntor 2020, me ftesë të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mendimtari i shquar islam nga Damasku, D4. Salahudin Keftaro mbajti hutben e xhumasë në xhaminë e Parrucës.

Në krye të herës, Myftiu i Shkodrës e falënderoi mikun e madh nga Damasku i Sirisë, sikurse theksoi se vizita të tilla elitare na ndihmojnë për të qëndruar të lidhur me pjesën tjetër të ymetit islam, si një familje e madhe vlerash, sidomos në këto kohë.

Në hytben e kësaj jave, Dr. Salahudin Keftaro tha se ne gjendemi në një muaj të begatë, në të cilin përkujtojmë lindjen e begatë të Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua me misionin e mëshirës për mbarë botët!

Ai tha se përkujtimi i kësaj lindjeje të begatë nuk ka vlerën e përkujtimit të lindjes së trupit, sesa atë të një misioni hyjnor që erdhi për të përhapur mëshirën në mesin e njerëzve.

Ai bëri thirrje që besimtarët të ndjekin gjurmët e Pejgamberit (a.s) duke ripërtërirë mesazhet e mëshirës dhe humanizmit në jetë.

Njëkohësisht theksoi se sot, ne po përballemi me sfida të ndryshme, si ato të denigrimit të fesë dhe besimit, Pejgamberit dhe Islamit në tërësi dhe se në këtë kontekst, edhe ne muslimanët kemi hisen tonë të fajit, pasi nuk kemi ditur ta prezantojmë si duhet mesazhin e të Dërguarit të Allahut në jetë!

Gjatë hytbes së mbajtur në xhaminë e Parrucës, Dr. Keftaro tha se para 15 shekujsh, Hz. Muhammedi (a.s) e quajti tokën si Nënë, duke na mlsuar për t’u kujdesur maksimalisht për të dhe cilësinë e jetës mbi faqen e dheut.

“Kur ndërtojmë dhe shpikim bomba dhe raketa të ndryshme që sjellin dëme edhe për ekosistemin, për kë shpiken këto bomba, kujt i shërbejnë, për të vrarë kafshët e egra në pyll apo për të vrarë njeriu vëllaun e tij njeri?

Edhe toka do të ankohet për këtë njeri shkatërrimtar të saj!

Tashmë që ndodhemi në mes të shumë sfidave, unë i lidhi duart e mia me duart tuaja, sepse ju jeni elita e besimtarëve në zemër të Europës dhe lutem që ta prezantoni Pejgamberin dhe të dëshmoni vlerat dhe kulturën tonë të madhe.

Ne nuk kemi për qëllim që duke kërkuar që të tjerët të pranojnë Islamin, të dhunojmë të tjerët, sepse përndryshe do kishim thyer urdhërin e Zotit!? Ne jetojmë në një botë, ku ka diversitet, që i ngjan një buqete me lule, ndërsa ne jemi të ftuar të jemi si trëndafili me erë të mirë në këtë buqetë të madhe!” -, tha ndër të tjera Dr. Keftaro.

Myftinia Shkodër, 6 nëntor 2020

Shpërndaje