Gazetari i Fax News, Sokol Dema ka rrëfyer atë çfarë ka ndodhur mbrëmjen e 16 Majit dhe mëngjesin e datës 17 tek Teatri Kombëtar ku policia dhe forcat e IMT-së u futën befasisht në kompleksin teatror duke i dhënë goditjen përfundmtare njërës prej vlerave më të mëdha historike dhe kulturore të Shqipërisë.
Dema përshkruan përmes një postimi në rrjetet sociale se, ishte caktuar nga redaksia të mbante duzhurin përgjatë gjithë natës, teksa kjo ishte një përvojë e re për të, ndërkohë që për shkak të frymës që kishte ndeshur tek artistët dhe aktivistët që kanë mbi dy vite që mbrojnë godinën, kishte menduar të shkonte ditët në vijim më shpesh pranë tyre.
“Si një dembel i përbotshëm që nuk ka kaluar shumë netë pa gjumë, patjetër që po me flihej, por kur mendoja se sa të jashtëzakonshëm kanë qenë artistët gjithë këta muaj, më vinte turp nga vetja. Ato orë të territ, kur ora akoma nuk kishte shkuar 04:00, kam bërë një Mea Culpa me veten, ndërsa nën zë premtova se do të shkoja më shpesh për të mbrojtur TK”, shkruan gazetari ndër të tjera.
Ai vijon më tej duke thënë se kur gjithçka dukej se kishte kaluar të paktën për atë natë, e kundërta rezultoi e vërtetë, pasi qindra efektivë të policisë dhe punonjës të IMT u futën brenda kompleksit me dhunë dhe terror, ndërsa valët telefonike ishin ndërprerë, saqë nuk kishte mundësi askush të njoftonte askënd.
“Minutat në vijim kanë qenë të tmerrshme, kishin fikur valët e celularit. Materialet video nuk shkonin në redaksitë tona, të cilat ishin në gatishmëri të plotë për lajme nga Teatri Kombëtar! Ishte e dhimbshme të shihje ata artistë duke i tërhequr zvarr, ata artistë qanin me dënes se po mbaronte një kauzë për të cilën kishin vuajtur shumë”, vijon shkrimin e tij.
Shënimi i plotë: Të jesh dëshmitar i shembjes së Teatrit Kombëtar!
Në mbrëmjen e 16 majit redaksia më kishte caktuar dëzhurn gjatë orëve të natës në Teatrin Kombëtar. Të jem i sinqertë ishte hera e dytë që do e gdhija deri në mëngjes në gati dy vite pune në Fax News, herën e parë ishte në “zgjedhjet” lokale të 30 qershorit. Kësaj here ishte më ndryshe, shumë më ndryshe. Ika në Teatër në 21:30, aty gjeta miq, kolegë gazetarë të pothuajse të të gjitha mediave. Në ball të të gjithë kolegëve ishte ajo e përhershmja, ajo që nuk pushoi asnjëherë për mbrojtjen e kauzës së Teatrit Kombëtar. E di që do të bie në përsëritje, pasi e kam thënë edhe dje, por më duhet ta themë sërish. Kolegia dhe mikja Edona Haklaj, vajza jonë më e vogël e redaksisë, ajo vajza që na ka habitur të gjithëve që prej fillimit, për shpirtin e bardhë e për fuqinë e zemrës.
Më besoni, janë të rrallë njerëzit si ajo! Edona ishte me agjërim, kishte mbyllur ditën e 23-të të Ramazanit, ndërsa edhe pse koha e yftarit kishte kaluar, nuk kishte ngrënë asgjë. Kishte më shumë se shtatë orë që qëndronte aty dhe po plotësonte 24 orë që nuk kishte shtënë gjë në gojë. E luta të hante pak gjëra që kisha marrë me vete, nuk hëngri asgjë. Rreth mesnatës, gati-gati me të bërtitura ka ngrënë një Belino. Mezi e kam nisur për në shtëpi në orën 03:00 të mëngjesit, me kundërshti pafund. Edona po e ndjente atë që po vinte!
Orët e natës në TK ishin të zhurmshme pasi shumë artistë e kanë gdhirë aty që prej 27 muajsh. Atë natë ngelëm disa punonjës të medias, të cilët kishim vendosur ta gdhinim, operatorët tanë heroik dhe kolegia e News 24, Fatmira Nikolli. Si një dembel i përbotshëm që nuk ka kaluar shumë netë pa gjumë, patjetër që po me flihej, por kur mendoja se sa të jashtëzakonshëm kanë qenë artistët gjithë këta muaj, më vinte turp nga vetja. Ato orë të territ, kur ora akoma nuk kishte shkuar 04:00, kam bërë një Mea Culpa me veten, ndërsa nën zë premtova se do të shkoja më shpesh për të mbrojtur TK. Pak njerëz kishin mbetur, veç artistëve dhe medias, kjo nuk diskutohet. Kishte patur sinjalizim në mbrëmje se do të shembej godina, por shumë e shpërfillën atë natë. Një pjesë ikën një e nga një, duke thënë nën zë se edhe e sotmja kaloi.
Nuk e mbaj mend kush pa i pari fugonin e policisë, por bërtiti dhe na sinjalizoi të gjithëve. Në vetëm pak sekonda, forca të shumta efektivësh policie të të gjitha llojeve zbarkuan në TK. Ishte një shok! Mezi nxora celularin nga xhepi dhe fillova po filmoja. Të bërtitura, thirrje, të qara, vinin nga brenda godinës. Shumë pak sekonda më vonë, punonjësit e policisë po i nxirrnin artistët njëlloj si të ishin kriminel. Çfarë pamje! Filluan dhe po ndiqnin operatorët, një pjesë të tyre i kanë tërhequr zvarr deri në fillim të Pedonales. Më ndoqën disa herë, derisa instikti i mbijetesës më thoshte: Vrapo!
Minutat në vijim kanë qenë të tmerrshme, kishin fikur valët e celularit. Materialet video nuk shkonin në redaksitë tona, të cilat ishin në gatishmëri të plotë për lajme nga Teatri Kombëtar! Ishte e dhimbshme të shihje ata artistë duke i tërhequr zvarr, ata artistë qanin me dënes se po mbaronte një kauzë për të cilën kishin vuajtur shumë. Për pak u mbush vendi plot me policë, me qindra, ndoshta me mijëra. Efektivë policie që pjesa më e madhe e tyre zgërdhiheshin nën buzë me atë që po ndodhte. U dukej vetja shumë të fortë, përballë një grushti njerëzish që një shtet po i shtypte me këmbë si të ishin larva. Shoqërime pafund, aktorët po futeshin në furgonët e policisë si të ishin kriminelët e kartelave të drogës, apo vrasësve serial.
Më duhet të dalë edhe njëherë tek Edona! Erdhi, po qante me ngashërim, duke mallkuar veten që ishte larguar 90 minuta më parë. Ka qarë në supin tim për një kohë të gjatë. Unë dua të falendëroj publikisht kolegen Mirilda Tili që dokumentoi lotët e pastër të Edonës, lot dhimbjeje dhe më kryesorja, të vërtetë!
Jam larguar nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” pak pasi kishte shkuar ora 07:00. Skuadra heroike e Fax News ishte tashmë aty dhe dukej se misionin e kisha mbaruar! Nuk e di çfarë ka ndodhur më vonë, orët e natës më kishin lodhur jo vetëm trupin, por edhe shpirtin! Teksa po largohesha për në shtëpi, mendja më ka thënë diçka që e kam refuzuar gjithmonë. Miqtë e mi e dinë se sa shumë e dua këtë vend. Për herë të parë i thashë vetes: Ik! Ik nga ky shtet banditësh!