Një 43-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës për armëmbajtje pa leje.
Ndalimi i shtetasit B. L., 43 vjeç, banues në Durrës u bë në Rinas pas identifikimit të armës dhe fishekëve nga skaneri i bagazheve dhe personave.
Ai po udhëtonte drejt Bolonjës, në Itali.
“Falë informacioneve të marra në rrugë operative nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme se një shtetas dyshohej që kishte armë zjarri me vete dhe do udhëtonte drejt Italisë është organizuar puna për mbajtjen nën vëzhgim të shtetasit të dyshuar, deri në momentin e futjes në skaner në zonën e kontrollit kufitar. Gjatë skanerimit të valixhes së tij të dorës, Policia i gjeti një armë zjarri e llojit pistoletë, e markës “Pietro Beretta”, me një krehër me fishekë”.
Në bashkëpunim me Policinë e Durrësit u ushtrua kontroll në banesën e tij në Durrës dhe në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në bashkëpunim me homologët italianë po vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për identifikimin e destinacionit dhe zbardhjen e qëllimit final që shtetasi i arrestuar ka patur me këtë armë.