Më pak bebe, censi zbuloi se numri i grave në moshë riprodhimi ka rënë 28.4% nga 2011-2023…

Shpërndaje

Shtesa natyrore e vendit tonë është tërësisht e varur nga numri i grave në moshë riprodhimi, por ato po pësojnë rënie të shpejtë.

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se vitin 2023 në të gjithë vendin ishin vetë 508 mijë gra në moshën e riprodhimit (15-49 vjeç) nga mbi 710 mijë që u ishin ne censin 2011. Numri i tyre ndërmjet dy censeve ka rënë me mbi 28%, ose me shumë se dyfishi i popullsisë e përgjithshme (14%).

Në grup-moshat e reja, me potencialin më të madh për të lindur fëmijë, rënia ishte mbi 40 për qind.

Tkurrjen më të madhe e kanë femrat në 15-19 vjeç, të cilat janë pakësuar më shumë në numër se në vitin 2011.

Në vitin 2023 kishte vetëm 72 mijë femra nga 15-19 vjeç me rënie 45% nga censi 2011 ku ishin mbi 132 mijë femra të kësaj grup-moshe.

Rënia e grave në moshën riprodhuese do të ndikojë në normën e ulët të lindshmërisë në vitet në vijim dhe në reduktimin pa kthim të popullsisë.

Femrat në grup-moshën 25-29 vjeç janë ulur me 21%.

Rënien më të ulët vetëm -6% e kishin femrat në grup-moshën 30-34 vjeç, teksa reduktimi mbi 30 % është i pranishëm edhe në grup-moshat 40-44 dhe 44-49 vjeç.

Gratë në moshë riprodhimi përveçse janë me tkurrje po lindin edhe më pak fëmijë.

Në vitin 1950, kur u vendos regjimi i diktaturës komuniste, lindën 47,291 foshnja, sipas të dhënave nga arkivat e INSTAT, teksa numri i grave në moshë riprodhimi (15-49 vjeç) ishte vetëm 259,472.

Më 2023, në të gjithë vendin, kanë lindur vetëm 22,210 foshnja, niveli më i ulët që nga viti 1934 kur janë raportuar të dhënat zyrtare vjetore, por ndërkohë numri i grave në moshë riprodhimi është mbi 500 mijë.

Është e kuptueshme se që nga vitet ’50-’60, Shqipëria ashtu si edhe Europa kanë evoluar në drejtim të planifikimit familjar, barazisë gjinore, integrimit të grave në tregun e punës, por në vendin tonë ka ende një përqindje më të madhe të grave që lindin fëmijë më pak se sa duan.

Demografët dhe sociologët janë të shqetësuar se lindjet në Shqipëri kanë rënë përtej të gjitha parashikimeve./B.Hoxha/Monitor/

Shpërndaje