Me 73 vota pro, mazhoranca miraton ligjin për punën e detyruar të studentëve të mjekësisë…

Shpërndaje

Deputetët e mazhorancës kanë miratuar sot në seancën plenare me 73 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim, projektligjin për punën e detyruar të studentëve të mjekësisë, konkretisht “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023, “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme”, në institucionet publike të arsimit të lartë”.

Seanca e sotme nisi me një minutë heshtje në nder dhe kujtim të ish-deputetit të PD Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, ndërsa më pas vijuan diskutimet.

Deputetët e opozitës nuk morën pjesë, pasi u larguan pas nderimeve të Bogdanit, sikundër njoftuan dhe një ditë më parë, për pezullim të çdo aktiviteti politik për ditën e sotme.

Me këto ndryshime ulen në 3 vitet e punës për studentë që fillojnë rishtas, për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt në 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë në vetëm një 1.

Gjithashtu Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 2 abstenim 0 kundër projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 72/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Infrastrukturës kombëtarë të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”.

Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 4 abstenim dhe 0 kundër edhe projektligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”.

Kuvendi miratoi me 72 vota pro, 2 abstenim dhe 0 kundër edhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 43/2020, “Për aktivitetet e turizmit detar”.

Kuvendi rrëzoi me 7 vota pro, 61 abstenim dhe 4 kundër projektvendimin për zgjedhjen e kandidatit Erjon Fejzulla, si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqësuesve te shoqërisë civile.

Kuvendi miratoi me 72 vota pro, 1 abtenim dhe 2 kundër projektvendimin për propozimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturës së Besnik Dervishit për Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 2 abstenim, 0 kundër projektvendimin për caktimin e Niko Peleshit si anëtar në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe Lindita Nikolla si anëtare në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projektvendimin për caktimin e Niko Peleshit si anëtar zëvendësues në Komisionin për Çështjet Evropiane.

Shpërndaje