Vetëm 700 lekë në muaj duhet të paguante Policia e Shtetit që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për Policinë në vitin 2014, nëse do të kryente sigurimin e jetës dhe shëndetit për 13 mijë efektivat blu të saj.
Por kanë kaluar 6 vjet dhe trajtimi financiar i përcaktuar në ligj për policinë ka mbetur në letër, pasi mungojnë aktet nënligjore që e bëjnë të zbatueshëm një prej neneve të ligjit të vitit 2014 që e shpreh qartazi përfitimin e sigurimit të jetës dhe shëndetit për efektivat e policisë së shtetit.
Në një prononcim për gazetën “Shqip”, kryetari i sindikatës së policisë, Sadedin Fishta thotë se nga ana e tij nuk ka reshtur së kërkuari respektimin e ligjit, zbatimin e tij pasi jeta e një polici sot vlen shumë pak.
“Ata rrezikojnë jetën e tyre për të mbrojtur atë të qytetarit. Janë afro 400 policë të aksidentuar në vendin e punës dhe afro 247 të rënë në krye të detyrës që prej vendosjes së demokracisë. Përveç atyre që kanë përfituar titullin “Dëshmor” asnjë tjetër nuk përfiton trajtim të vecantë financiar”, tha kreu i sindikatës së policisë.
Fishta shtoi gjithashtu se ka dërguar disa letra në adresë të institucioneve më të larta në vend por nuk ka marrë asnjë përgjigje deri tani. Sipas tij, fatura financiare që i kushton buxhetit të shtetit për 13 mijë efektivat e policisë është shumë e vogël nëse kryhet polica kolektive e sigurimit.
“Ne kemi pyetur në disa kompani sigurimi dhe ofertat që kemi marrë prej tyre kanë qenë shumë të mira. Kështu kemi përllogaritur se nuk duhet më shumë e 1 përqind e pagës së çdo polici në muaj për tu paguar nga shteti dhe përfitimi është deri në 50 mln lekë për humbjen e jetës gjatë rënies në detyrë”, thotë kreu i sindikatës së policisë, Sadedin Fishta.
Sipas tij, dëmshpërblimi për humnbjen e jetës sot përfitohet vetëm në rastet kur polici shpallet dëshmor.
“Kemi rastin e ish drejtorit të policisë Artan Cuku ku familjarët e tij kanë paditur Policinë e Shtetit për të kërkuar prej tyre dëmshpërblim pasi Cuku u vra për shkak të detyrës”, thotë kreu i sindikatës.
Të dhënat e sindikatës raportojnë për rreth 400 efektiva policie të aksidentuar gjatë ushtrimit të detyrës nga vitet ’90 e deri më tani. Po ashtu raportohen se kanë humbur jetën rreth 247 viktima në radhët e policisë për shkak të detyrës. Para vitit 2014, ekzistonte një ligj ku familjarët përfitonin dëmshpërblim secili prej anëtarëve të familjes një shumë prej 2.5 mln lekë.
Me ligjin e ri të vitit 2014 u shkruajt qartë se sigurimi i jetës dhe shëndetit do të ishte detyrë e shtetit, gjë të cilën nuk e ka zbatuar akoma fatkeqësisht.
Gazeta Shqip