Sot kanë mbërritur dhe 9630 doza të vaksinës Pfizer nga kontrata e lidhur në muajin Janar. Kjo është ngarkesa e katërt e dërguar nga Pfizer dhe do të përodret për të vaksinuar mjekët dhe të moshuarit mbi 80 vjeç.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ishin në Rinas për të pritur këtë dërgesë. Manastirliu u shpreh se këto vaksina do të jenë dozë e dytë për shumë të moshuar dhe atyre do u sigurohet mbrojte e plotë.
“Do të vijojmë me rivaksinimin dhe do të mbyllim vaksinimet e mjekëve të vijës së parë dhe të moshuarve, në shtëpitë e të moshuarve dhe ata plus 80 vjeç për të siguruar mbrojtjen e plotë. Nga ana tjetër ashtu siç e kemi thënë do të vijojnë të ketë dërgesa të tjera dhe presim vaksina të tjera që jemi në kontraktim e sipër”, tha ministrja e Shëndetësisë.
Ndërkohë në vend vijon procesi i vaksinimit anti-COVID në qendrat e përqendruara të vaksinimit në të gjithë vendin. Gjatë ditës së sotme janë kryer 2478 vaksinime anti-Covid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 27,365 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.
Deri tani dozat e para të vaksinave i kanë marrë një pjesë e mjekëve të vijës së parë, të moshuarit plus 80 vjeç dhe mësuesit, por këta të fudit janë vaksinuar me AstraZeneca dhe Pfizer.