Pasditen e sotme, dhjetra portale ne Shqipëri i kanë bërë jehonë një proteste që sipas tyre ishte organizuar në Beograd nga palestinezët. Po sipas këtyre mediave, Në një parullë, nga protestuesit palestinezë në Beograd, qenka shkruajtur: Kosova është Serbi.
Nuk dihet se cili është portali i parë që ka shpërndarë pa u thelluar këtë lajm, në të njëjtën ditë kur në Kosovë protestohej për ti dhënë fund dhunës ndaj popullit palestinez, por ajo që ka rëndësi është shpërndarja e rrufeshme e këtij lajmi.
Po cila është e vërteta?
Siç shihet edhe nga një postim i ditës së sotme në fb, protesta është organizuar nga “Nova Komunistička Partija Jugoslavie” (Partia e re komuniste Jugosllave), një organizatë nostalgjike e cila vazhdon ta shohë ende pas 3 dekadash, Jugosllavinë si një të tërë.
Në tekstin e shpërndarë, organizatorët kanë shprehur solidaritet me popullin palestinez. “Ne dënojmë me forcë aksionet kriminale të ushtarëve izraelitë gjatë të cilëve civilë të pafajshëm janë vrarë në veri të gazas, në Beit Hanoun dhe Jabali”, thuhet në tekstin e shpërndarë.
Më tej, teksti vijon me thirrjen për qeverinë serbe, e cila sipas hartuesve “ duhet të ndalojë menjëherë politikën e rrezikshme të bashkëpunimit me Izraelin dhe gjithashtu duhet të ndalojë planin për transferimin e ambasadës serbe nga Tel Aviv në Jeruzalem. Kjo do të ishte një thikë pas shpine për popullin palestinez i cili na mbështet në luftën tonë për mbajtjen e Kosovës dhe Metohisë në Serbi”.