Masat që mund të merrni nga shtëpia për t’u mbrojtur nga koronavirusi

Shpërndaje

Koronavirusi është përhapur në të gjithë botën dhe tashmë edhe në Shqipëri.

Shenjat në Kinë, nga ku buroi fillimisht, duken optimiste, pasi numri i rasteve të reja që zbulohen sa vjen e ulet dhe njerëzit i janë kthyer punëve të përditshme.

Por në Itali dhe në pjesë të tjera të botës, tashmë dhe në Shqipëri, vazhdon të përhapet dhe të shkaktojë frikë.

Këto janë masat bazike që mund të merren nga kushdo, nga shtëpia, për t’u mbrojtur nga Koronavirusi, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Lani duart rregullisht

Koronavirusi qëndron për 12 orë mbi sipërfaqe metalike, si dorezat e dyerve apo objekte të tjera që preken nga shumë njerëz. Që ta largoni, duhet t’i lani duart shpesh, për mbi 20 sekonda, me sapun. Nëse duart nuk janë dukshëm të pista, mund t’i fshini dhe me alkool. Por nëse papastërtia duket me sy, përdorni sapunin.

Një metër larg atyre që kolliten e teshtijnë

Qëndroni të paktën një metër larg çdo personi që po kollitet ose po teshtin. Kur teshtin, njeriu shpërndan nga goja dhe nga hunda grimca të vogla që nuk shihen me sy, të cilat mund të mbartin virusin.

Mos prekni gojën, sytë dhe hundën

Nëse duart kanë prekur sipërfaqe ku ka qenë i pranishëm virusi, mënyra më e shpejtë për ta kaluar në trup është duke prekur zgavrat e fytyrës, si hunda, sytë dhe goja. Që aty, virusi mund të përhapet shumë shpejt në organizëm e t’ju sëmurë.

Kujdesuni që të mos prekni njeri me frymëmarrjen

Kjo do të thotë që kur të kolliteni ose të teshtini, duhet të vendosni një shami përpara gojës dhe hundës. Shamia më pas duhet hedhur. Kështu mund të ndaloni përhapjen.

Simptomat kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore

Nëse keni temperaturë të lartë, të shoqëruar nga kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje, duhet të vizitoheni menjëherë. Por mos shkoni në ambulancë, telefononi numrin 127.

Pse nuk duhet shkuar në ambulancë por të telefonohet numri 127?

Sipas njoftimit të ministrisë, nuk duhet të shkoni menjëherë në ambulancë po të ndieni simptomat, por të telefononi në numrin 127. Prej aty do të merrni informacionet e sakta se çfarë do të bëni dhe mjekët do t’ju vizitojnë në shtëpi, kështu që as nuk përhapet më shumë virusi, as ju nuk rrezikoni të ekspozoheni në mjedise që mund të jenë të prekura.

Përditësohuni saktësisht

Ndiqni rregullisht burimet zyrtare dhe të besueshme për njoftime të reja, pa u ndikuar nga lajmet e rreme të cilat shpesh ndikojnë me përhapjen e një paniku të panevojshëm.

Kur të përdoren maskat?

Maskat duhet të filloni t’i mbani nëse keni kollë dhe teshtima. Nëse jeni mirë, maskën duhet ta vini vetëm nëse po kujdeseni për një person të infektuar.

Sa punë bëjnë maskat?

Maskat e bëjnë punën vetëm nëse i vini pasi të keni larë duart me sapun, apo nëse i keni pastruar me alkooli. Po ashtu, pas përdorimit, maskat nuk duhen lënë në vend ku mund të kenë marrë virusin e pastaj të vendosen prapë. Maskat e përdorura duhet të hidhen në plehra, që të mos kontaktojnë persona të tjerë.

Si të përdoren maskat?

Sigurohuni që të keni mbyllur edhe hundën, edhe gojën, dhe sigurohuni të mos e prekni me duar pjesën e maskës që do ta vendosni në fytyrë. Lani duart para se ta vendosni. Kur ta hiqni, kapni vetëm pjesën e brendshme të maskës, mos e prekni pjesën e përparme.

Shpërndaje