Pas masave të sigurisë të lëshuara nga SPAK për dy gazetarët e kronikës, Elton Qyno dhe Artan Hoxha, një reagim ka pasur edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se vendosja e masave ndaj Elton Qynos, “gazetarit guximtar dhe trim”, me Artan Hoxhën, “anëtar i damkosur i Bajrit të partisë, i paguar nga bandat, por i mbrojtur nga Altin Dumani”, shkelmon detyrën e gazetarit.
“Ata që vendosën këto masa, ata kërkojnë të mbyllin kanalet e transparencës së mediave. Vendosja e masave ndaj Elton Qynos, gazetarit guximtar dhe trim, me Artan Hoxhën, anëtar i damkosur i Bajrit të partisë, i paguar nga bandat, por i mbrojtur nga Altin Dumani, gjer sa së fundmi, sa u detyrua të vendosë një masë arrest shtëpie, ndërkohë që informoj publikun se Artan Hoxha ka shkelmuar detyrën e gazetarit dhe është bërë anëtar aktiv i bandës Bajri-Gjoka. Nuk kanë asnjë lidhje këta dy gazetarë me njëri-tjetrin. Lidhja qëndron me poshtërsinë e Altin Dumanit, që kërkon t’i paraqesë të inkriminuar së bashku”, deklaroi Berisha ndër të tjera.